Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje zyrtare sportdashësve nga e gjithë bota të aplikojnë sa më shpejt për vizë, nëse planifikojnë të udhëtojnë drejt SHBA-së për të ndjekur ndeshjet e Kupës së Botës FIFA 2026.
Në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të Ambasadës së SHBA-së në Facebook, theksohet se autoritetet amerikane janë të përgatitura për të përpunuar aplikimet për viza dhe garantojnë procedura të sigurta dhe të mbrojtura për të gjithë tifozët që planifikojnë të udhëtojnë.
“Shtetet e Bashkuara po mundësojnë udhëtime të sigurta dhe të mbrojtura për sportdashësit ndërkombëtarë që janë të interesuar të vijnë në Shtetet e Bashkuara për Kupën e Botës FIFA 26, dhe jemi plotësisht të përgatitur për të përpunuar aplikimet për vizat e vizitorëve. Ne i inkurajojmë udhëtarët e huaj që kanë nevojë për viza amerikane të aplikojnë TANI!”, thuhet në njoftim.
Autoritetet amerikane paralajmërojnë se, për shkak të interesit të lartë dhe rritjes së kërkesave ndërkombëtare, mund të ketë rradhё të gjatё pritjeje deri nё caktimin e takimit për aplikim, ndaj aplikimi i hershëm konsiderohet thelbësor për të shmangur vonesat.
Turneu i ardhshëm i FIFA-s do të jetë më i madhi i zhvilluar ndonjëherë, me 48 skuadra pjesëmarrëse, dhe me ndeshje në disa nga qytetet më të mëdha të Amerikës së Veriut, përfshirë New York, Los Angeles, Dallas, Miami, Philadelphia dhe San Francisco.
Miliona tifozë nga e gjithë bota pritet të udhëtojnë për të mbështetur ekipet e tyre, çka ka shtuar nevojën për planifikim të hershëm të udhëtimeve, akomodimeve dhe dokumentacionit.






