Bregu lindor i Shteteve të Bashkuara po përjeton një nga stuhitë më të forta të dëborës në dekada, me pasoja të rënda në transport, energji dhe jetën e përditshme të miliona njerëzve. Mediat ndërkombëtare raportojnë se më shumë se 8,000 fluturime janë anuluar deri tani, ndërsa paralajmërimet për mot ekstrem mbeten në fuqi në disa shtete.
Sipas National Weather Service, reshjet rekord të dëborës kanë përfshirë zona nga Karolina e Veriut deri në Maine, ndërsa pjesë të Rhode Island dhe Massachusetts kanë regjistruar mbi 90 centimetra borë. Në Parkun Qendror të Nju Jorkut janë matur mbi 48 centimetra, duke e bërë këtë një nga stuhitë më intensive të viteve të fundit.
Rhode Island, shteti më i vogël i SHBA-ve, rezulton ndër më të goditurit. Në Providence u regjistruan 36 inç borë, duke thyer rekordin historik të vitit 1978. Autoritetet vendosën ndalim për udhëtimet jo thelbësore, një masë që u ndoq edhe nga Connecticut dhe më pas nga Massachusetts. Guvernatorja Maura Healey paralajmëroi se kushtet “whiteout” – kur dukshmëria bie pothuajse në zero – e bëjnë udhëtimin jashtëzakonisht të rrezikshëm.
Në Nju Jork, qyteti me mbi 8 milionë banorë, u shpall gjendja e emergjencёs. Rrugët dhe urat u mbyllën për disa orë, ndërsa transporti ajror pothuajse u ndal plotësisht. Sipas platformës së monitorimit FlightAware, 98% e fluturimeve nga aeroporti LaGuardia dhe 91% nga JFK u anuluan. Edhe Logan International Airport në Boston anuloi mbi 90% të fluturimeve dalëse, ndërsa njё situatë e ngjashme u raportua edhe në Newark dhe Filadelfia.
Stuhia ka lënë pa energji elektrike mbi 600,000 shtëpi dhe biznese në të gjithë rajonin. Massachusetts dhe New Jersey janë ndër më të prekurit, me qindra mijëra familje në errësirë për shkak të pemëve të rrëzuara dhe linjave të dëmtuara të tensionit.
Përveç kaosit ajror, edhe trafiku rrugor është përballur me paralizë. Në Providence, më shumë se 300 automjete u tërhoqën për parkim të gabuar, ndërsa borëpastrueset luftonin për të hapur rrugët. Në disa zona, autoritetet paralajmëruan se ndihma emergjente mund ta ketë të vështirë të arrijë në rast aksidentesh.
Parashikimet tregojnë se reshjet do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së martë, me mijëra anulime të tjera fluturimesh të pritshme. Meteorologët e cilësojnë këtë si një fenomen tipik dimëror në verilindje të SHBA-ve, por me intensitet të pazakontë këtë herë.
Ndërsa borëpastrueset vazhdojnë punën dhe kompanitë ajrore përpiqen të riorganizojnë fluturimet, miliona amerikanë mbeten të bllokuar në shtëpi ose aeroporte. Për shumë qytete, kjo stuhi ka shënuar një ndërprerje të plotë të jetës normale – dhe rikujton se dimri në bregun lindor të SHBA-ve mund të jetë ende i pamëshirshëm.







