Ishte një natë e zakonshme tetori e vitit 2024 kur telefoni i Joe Novak-ut u drodh nga njё njoftim. Një mesazh miqësor në Facebook nga një e panjohur: një bisedë që do të kthehej në makthin më të madh të jetës së tij.
Tre muaj më parë, Novak – 52 vjeç, nga Wallington, New Jersey – kishte shpërndarë një postim publik rreth vështirësive për të gjetur ushqim të sigurtё për djalin e tij me sëmundjen celiake. Postimi kishte marrë pak pëlqime dhe komente. Por tani, dikush që prezantohej si Ailis Danner, një bjonde elegante që pretendonte të ishte stiliste mode në Madison Avenue të New Yorkut, i shkruante me ton të ngrohtë:
“Nuk të njoh, më dole si sugjerim pёr miqёsi në FB… shpresoj mos të të shqetësoj. Postimi yt për djalin më preku. Ndoshta mund të lidhemi?”
Profili i saj shfaqte makina sportive të kuqe Ferrari, sfilata mode, udhëtime luksoze dhe një qen të bardhë me emrin Lucky. Biseda u zhvendos shpejt në WhatsApp dhe u kthye në një rrëfim të gjërë intim mbi jetën, divorcin, humbjet dhe ëndrrat.
Novak ishte në një periudhë të errët: pa punë pas 30 vjetësh karrierë si drejtor IT në një kompani telemarketingu, në mes të një divorci të vështirë dhe një beteje për kujdestarinë e dy fëmijëve. Ajo i tregonte se kishte humbur abortuar njё fëmijë dhe admironte devotshmërinë e tij si prind. Ai ndjeu se më në fund dikush e kuptonte.
“Gjithҫka qё doja ishte të lidhesha me dikë,” kujton ai. “Nuk më interesonte që ajo pretendonte të kishte një jetë luksoze.”
Në shkurt, ata i rrëfyen njëri-tjetrit “dashurinë”. Në prill, Novak kishte investuar gati 280 mijë dollarë – kursimet e jetës – në një platformë të kriptovalutave që ajo i rekomandoi. Dhe më pas, gruaja misterioze u zhduk: profili në Facebook u zhduk, numri i WhatsApp-it heshti, ndërsa faqja e investimeve nuk hapej mё.
“Humba gjithçka. Humbra të ardhmen e fëmijëve të mi. Humbra timen. Qaja çdo ditë,” tha ai për CNN. “Si t’ia thuash mamasë 78-vjeçare me probleme shëndeti që çdo gjë ka marrë fund?”
Mashtrimi ishte një skemë e njohur si “pig-butchering” – një formë mashtrimi online që nis me afrime romantike dhe përfundon duke ia marrё gjithё pasurinë viktimës. Ekspertët e krahasojnë me procesin e “ushqyerjes së derrit para therjes”: fillimisht mbushe me besim, pastaj prije papritur.
“Ailis” e ndërtonte me kujdes iluzionin mbi veten dhe jetёn e saj: video të Manhattan-it nën borë, këngë, mesazhe me zë me theks të rëndë, video të qenit Lucky dhe madje një video-telefonatë 15-minutëshe – e cila sot dyshohet se ishte një deepfake. Ajo shmangte çdo takim fizik, gjithmonë me justifikime. Ata flisnin për liqenin George, për golfin, për jetën familjare. Shumë rastësi, shumë skenar i përsosur.
“Pse nuk e kuptova qё nё atё video-telefonatё? Pse nuk dyshova?” pyet ai sot. “Në fund, pёrfundova duke u parё në pasqyrë, duke bërtitur dhe duke goditur veten.”
Ai nisi me depozita të vogla prej 1.500 dollarësh që i tërhoqi pa problem – pjesë e mashtrimit për të krijuar besim. Pastaj investoi gjithnjë e më shumë, derisa platforma i kërkoi një tarifë prej mbi 40.000 dollarësh për të tërhequr paratë. Në atë moment ai kishte investuar gjithçka – 280 mijë dollarë, pjesën e tij takuese të shtëpisë pas divorcit.
Kur tentoi të bisedonte me “Ailis”, ajo nisi të shmangte përgjigjet. Në korrik, ajo dërgoi për herë të fundit një mesazh:
“Besoj se do e marrёsh veten shumё shpejt. Zoti i fatit nuk zhgënjen njerëzit e mirë…”, dukei kёrkuar sёrish nёse mund tё pёrdorte fondin e tij tё pensionit pёr tё paguar edhe tarifёn prej 40 000 dollarёsh.
Më pas, sikur e pёrpiu dheu.
CNN, gjatё hulumtimit pёr tё pasqyruar kёtё rast, gjeti se fotot e përdorura nga “Ailis” i takonin një influencereje të njohur nga New Yorku – me emër krejt tjetër. Edhe investimi i tij u gjurmua nga kompania Lionsgate Network, e cila zbuloi një seri transferimesh të ndërlikuara në zinxhirë të ndryshëm blockchain – metoda tipike për ta bërë gjurmimin tё pamundur.
Policia e Wallington dhe Njësia e Krimeve Kibernetike e Bergen County po hetojnë rastin. Novak ka paraqitur gjithashtu kërkesë në FBI.
“Nëse nuk do të ishte mamaja ime, do të kisha përfunduar në rrugë,” thotë ai.
Sot ai përpiqet të rindërtojë jetën: ka nisur terapi, lexon, mban njё ditar dhe po kërkon njё punё. Ai shpreson që historia e tij të shёrbejё si paralajmërim dhe parandalim pёr viktima tё tjera.
“Tani që mund të flas për këtë, jam më optimist. Dua të ndihmoj dikë tjetër të mos bjerë në kurthin ku rashë unë.”
Ironikisht, pak ditë pasi CNN u interesua, profili i “Ailis”-it u rishfaq në Facebook me mbiemër të ri dhe të njëjtat fotografi me makina të shtrenjta dhe qenin Lucky. Ajo i shkroi përsëri Novak-ut me tone sfiduese:
“Ailis”: Je mirë?
Novak: Si mund të jem mirë pas asaj që më bëre?
“Ailis”: Çfarë të bëra?
Novak: Më binde të investoja, më nxisje të fusja të gjithë kursimet e jetës – dhe kur e bёra, u zhduke. Të dhashë gjithçka, edhe zemrën time, më mbajte pezull për gjashtë muaj dhe asnjëherë nuk pranoje të më takoje. Ishte mashtrim, dhe nuk e kuptoj pse nuk e pranon.
“Ailis”: Mёrzitja nuk zgjidh asgjё.
“Ailis”: Nuk të detyrova të investoje; është faji yt që nuk pagove tarifën.
Novak: Lutem çdo ditë që drejtësia të të gjejë një ditë. E mira fiton mbi të keqen – dhe secili ndjek rrugën që zgjedh. Një ditë do tё paguash për këtë.
Sipas ekspertëve që po hetojnë rastin, është shumë e mundshme që “Ailis” të mos ketë qenë kurrë një person real, por një identitet i krijuar nga një grup i organizuar mashtruesish jashtë SHBA-së. Firma që po ndihmon Novak në gjurmimin e fondeve thotë se transferimet digjitale të parave çuan drejt rrjeteve të transaksioneve që shpesh lidhen me operacione kriminale të bazuara në Azi, ku këto skema kanë lulëzuar vitet e fundit. Hetuesit lokalë dhe njësitë e krimeve kibernetike po punojnë për gjetjen e përgjegjësve, por Novak është i vetëdijshëm se shanset për të rikthyer paratë janë të pakta.
Megjithatë, ai thotë se vendimi për të treguar historinë e tij publikisht ishte mënyra e vetme për të mos u zhytur nё depresion në heshtje dhe për të paralajmëruar të tjerët.
(Pёrshtatur nga CNN)






