Një njoftim i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, i publikuar më 20 shkurt 2026, është rikthyer sot në vëmendjen e mediave, duke ngritur pikëpyetje jo vetëm për sigurinë, por edhe për arsyet konkrete që qëndrojnë pas tij.
Në një “Security Alert” drejtuar qytetarëve amerikanë, ambasada njofton se, “si masë paraprake sigurie për shkak të mundësisë së dhunës hakmarrëse dhe/ose raportimeve për praktika të padrejta biznesi dhe shqetësime për sigurinë”, katër lokale në Tiranë shpallen “off-limits” – praktikisht tё ndaluara për personelin e Ambasadës:
- Juvenilja
- Juvenilja Castle
- Pastiçeri Venezia
- Magic Club
Në vijim, qytetarëve amerikanë u këshillohet të shmangin këto ambiente, të ndjekin mediat lokale, të kenë gjithmonë një plan emergjence daljeje dhe të mbajnë profil të ulët.
Por ajo që bie në sy është mungesa e një referimi të qartë mbi problematikën konkrete. Njoftimi përmend në mënyrë të përgjithshme “mundësi dhune hakmarrëse” dhe “raportime për praktika të padrejta biznesi”, pa specifikuar se për çfarë bëhet fjalë, nëse ka hetime në zhvillim apo një incident të caktuar.
Edhe më interesante është vendndodhja e disa prej këtyre lokaleve. Juvenilja Castle dhe Pastiçeri Venezia ndodhen në një nga pikat më të frekuentuara të kryeqytetit, pranë stadiumit “Air Albania”, zonë që konsiderohet ndër më të sigurtat dhe më të monitoruarat në Tiranë. Bëhet fjalë për ambiente në zemër të qytetit, jo në periferi apo zona problematike.
Kjo ka shtuar spekulimet nëse paralajmërimi lidhet me çështje pronësie, konflikte të mundshme mes subjekteve, apo informacione të brendshme që nuk janë bërë publike. Deri më tani, as autoritetet shqiptare dhe as vetë subjektet e përmendura nuk kanë dhënë një reagim të detajuar mbi situatën.
Fakti që ambasada përdor formulimin “tё ndaluara për personelin” tregon se bëhet fjalë për një masë të brendshme sigurie, që shpesh merret në raste kur ka informacione paraprake, por jo domosdoshmërisht të konfirmuara publikisht. Megjithatë, kur një njoftim i tillë prek biznese të njohura në qendër të Tiranës, efekti publik është i menjëhershëm.
Nga ky mesazhi i ambasadës drejtuar personelit tё tij ama i publikuar nё faqen zyrtare, është e qartë se synohet shmangia e ambienteve të përmendura. Por pa detaje konkrete, qytetarёve shqiptarё u mbeten më shumë pyetje sesa përgjigje.
Deri në një sqarim zyrtar, qytetarëve – amerikanë apo jo – u mbetet të lexojnë mes rreshtave: një alarm sigurie në mes të Tiranës, që për momentin tingëllon më shumë si paralajmërim diplomatik sesa si incident i hapur publik.
Njoftimi zyrtar:







