Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një seri sulmesh “të fuqishme dhe vdekjeprurëse” kundër grupit terrorist Shteti Islamik (ISIS) në veriperëndim të Nigerisë.
Trump e përshkroi ISIS-in si “llum terroristësh”, duke e akuzuar grupin për sulme dhe vrasje mizore ndaj civilëve, kryesisht të krishterëve të pafajshëm. Ai tha se ushtria amerikane ka realizuar “sulme të shumta perfekte”, duke theksuar vendosmërinë e SHBA-ve për të luftuar terrorizmin ndërkombëtar.
Komanda Amerikane e Afrikës (AFRICOM) konfirmoi më vonë se operacioni i së enjtes u zhvillua në koordinim me autoritetet nigeriane dhe kishte në shënjestër grupe terroriste në shtetin Sokoto.
Ministri i Jashtëm i Nigerisë, Yusuf Maitama Tuggar, i tha BBC-së se bëhej fjalë për një “operacion të përbashkët” kundër terroristëve dhe se aksioni “nuk kishte lidhje me ndonjë fe të caktuar”. Ai theksoi se operacioni ishte planifikuar prej kohësh dhe ishte mbështetur në informacione inteligjence të siguruara nga pala nigeriane.
Tuggar nuk përjashtoi mundësinë e sulmeve të tjera në të ardhmen, duke sqaruar se kjo do të varet nga vendimet që do të merren nga udhëheqja e të dy vendeve.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump deklaroi se “nën udhëheqjen time, SHBA-të nuk do të lejojnë që terrorizmi radikal islamik të lulëzojë”. Ai kujtoi se në muajin nëntor kishte urdhëruar ushtrinë amerikane të përgatitej për veprime në Nigeri kundër grupeve militante islamike.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, falënderoi qeverinë nigeriane për bashkëpunimin dhe mbështetjen, duke e mbyllur mesazhin e tij në rrjetin social X me urimin: “Gëzuar Krishtlindjet!”.
(Burimi: BBC)






