Administrata e presidentit Donald Trump ka publikuar dokumentin e ri të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, një tekst i ashpër dhe alarmues, që parashikon rreziqe ekzistenciale për Evropën dhe një rishikim të plotë të rolit global të Shteteve të Bashkuara. Dokumenti shënon vijimin e linjës së “Doktrinës Monroe” të rivendosur nga Trump — të quajtur “Rekruto dhe Zgjero” — duke zhvendosur prioritetet strategjike të Uashingtonit drejt Amerikës Latine dhe luftës kundër emigracionit të paligjshëm.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Evropa po përballet me një “rrezik të fshirjes së qytetërimit”, dhe nëse trendet aktuale nuk ndryshojnë, kontinentin “brenda 20 vjetësh ose më pak nuk do ta njohë askush”. Dokumenti liston një sërë faktorësh që, sipas administratës Trump, po minojnë stabilitetin dhe identitetin evropian: ndikimin e institucioneve transnacionale si BE-ja, politikat e migracionit që “po transformojnë kontinentin dhe po krijojnë konflikt”, rënien e lindshmërisë, humbjen e vetëbesimit kombëtar dhe shtypjen e mendimit kundërshtues.
Edhe NATO përfshihet në këtë analizë kritike. Strategjia e re kërkon rivendosjen e stabilitetit brenda Evropës dhe “një stabiliteti strategjik me Rusinë”. SHBA synon një Europë që “qëndron në këmbët e veta si një grup kombesh sovrane”, duke marrë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen pa u mbështetur tek Uashingtoni — dhe, njëkohësisht, kërkon “t’i jepet fund perceptimit se NATO është një aleancë në zgjerim të vazhdueshëm”.
Përtej Evropës, dokumenti e konsideron Indo-Paqësorin si “fushëbetejën kryesore ekonomike dhe gjeopolitike të shekullit të ardhshëm”, duke sulmuar ashpër strategjitë e dekadave të kaluara ndaj Kinës. “Presidenti Trump e ka përmbysur supozimin e gabuar 30-vjeçar se hapja e tregjeve tona për Kinën do ta orientonte Pekinin drejt një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Kjo nuk ka ndodhur”, thuhet në dokument.
Në Hemisferën Perëndimore, SHBA do të ndjekë strategjinë “Rekruto dhe Zgjero”. “Rekrutimi” nënkupton forcimin e aleancave ekzistuese për kontrollin e migracionit, luftën kundër trafikut të drogës dhe garantimin e sigurisë. “Zgjerimi” ka të bëjë me kultivimin e partnerëve të rinj dhe rritjen e atraktivitetit të SHBA-së si partner ekonomik dhe ushtarak i preferuar.
Dokumenti përfaqëson një kthesë të dukshme: SHBA tërhiqet nga roli historik i “garantuesit të rendit global”, ndërsa Evropa paralajmërohet të përballet e vetme me krizën e identitetit, migracionit dhe sigurisë.






