Kush nuk i ka parë duelet sportive-artistike ndërmjet Chuck Norris dhe Bruce Lee? Me miliona janë mahnitur nga përplasja mes tyre – sportistë, artistë, figura ikonike që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kinemasë dhe arteve marciale. Ndërsa Bruce Lee ndërroi jetë tepër i ri, në moshën 32-vjeçare, Chuck Norris vazhdoi rrugëtimin e tij, duke u kthyer në një nga figurat më të njohura të aksionit në botë.

Aktori dhe mjeshtri i arteve marciale Chuck Norris është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga familja e tij përmes një mesazhi publik, ku bëhet e ditur se ai ndërroi jetë në Hawaii, i rrethuar nga të afërmit e tij.
“Me zemёr të thyer ndajmë lajmin për ndarjen e papritur nga jeta të të dashurit tonë Chuck Norris. Ai ishte i rrethuar nga familja dhe në paqe,” thuhet në deklaratën e familjes, e cila kërkoi gjithashtu respektimin e privatësisë në këto momente të vështira.
Për publikun, Norris ishte simbol i forcës, disiplinës dhe guximit – një figurë që dominoi ekranin për dekada me radhë. Për familjen, ai ishte bashkëshort i përkushtuar, baba dhe gjysh i dashur, si dhe një njeri që jetoi me besim dhe përkushtim ndaj njerëzve që donte.
Chuck Norris u bë i famshëm në mbarë botën për rolet e tij në filmat aksion si “The Delta Force” dhe “Missing in Action”, si dhe për serialin ikonik “Walker, Texas Ranger”, që e ktheu në një figurë të dashur për miliona shikues.

Përtej ekranit, ai ishte një nga mjeshtrat më të njohur të arteve marciale, duke frymëzuar breza të tërë me disiplinën dhe filozofinë e tij të jetës. Miqësia dhe përballjet e tij legjendare me Bruce Lee mbeten ndër momentet më të paharrueshme në historinë e filmit aksion.
Familja e tij theksoi se dashuria dhe mbështetja e fansave në mbarë botën kishin një domethënie të veçantë për të. “Për të, ju nuk ishit thjesht fansa, por miq,” thuhet në mesazh.
Ndërsa bota e kinemasë dhe sportit i jep lamtumirën një legjende, Chuck Norris lë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme që do të vazhdojë të jetojë në ekran dhe në kujtesën e miliona njerëzve.








