Pas pushimeve të fundvitit, shumë njerëz e kanë të vështirë të rikthehen menjëherë në ritmin e punës. Lodhja, dembelizmi dhe mungesa e përqendrimit janë të zakonshme, por ekspertët thonë se zgjidhja nuk është të detyrosh veten të funksionosh menjëherë me “100 për qind”. Rikthimi në formë nuk është sprint, por maratonë.
Çelësi është të kuptosh se ku ndodhesh në shkallën e stresit dhe performancës. Nëse pushimet kanë qenë të qeta, me shumë pushim, ushqim dhe relaks, atëherë trupi dhe truri janë në një gjendje shumë të ulët stresi. Në këtë rast, rekomandohet të rritet energjia gradualisht, përmes ecjes, ushtrimeve të lehta ose aktivitetit fizik që shtohet hap pas hapi, derisa organizmi të arrijë nivelin optimal për përqendrim dhe produktivitet.
Nëse, përkundrazi, pushimet kanë qenë stresuese, me udhëtime, angazhime familjare dhe lodhje të vazhdueshme, atëherë stresi është tashmë i lartë. Për të hyrë në ritëm pune, duhet fillimisht të ulet ky nivel përmes relaksimit: pushim i qetë, frymëmarrje e thellë, meditim, joga, një shëtitje në natyrë ose aktivitete që qetësojnë mendjen dhe trupin.
Gjendja ideale për produktivitet quhet “flow”, një moment kur puna ecën natyrshëm dhe me kënaqësi. Ajo arrihet kur stresi është në nivelin e duhur dhe kur detyrat nuk janë as shumë të lehta, as shumë të vështira. Fillimi me punë të thjeshta dhe rritja graduale e vështirësisë ndihmon trurin të përshtatet dhe të rikthejë përqendrimin.
Ekspertët theksojnë se balancimi i stresit dhe sfidave është mënyra më e mirë për t’u kthyer në ritёm pas pushimeve dhe për të nisur vitin e ri me energji, qartësi dhe efikasitet.
(Burimi: Psychology Today)






