Të “stërvitësh trurin” është një këshillë që dëgjohet shpesh nga ekspertët për të mbajtur mendjen të mprehtë me kalimin e viteve. Por si bёhet kjo? Sipas studimeve të fundit, nuk bëhet fjalë për një aktivitet të vetëm, por për një mënyrë jetese që e sfidon vazhdimisht trurin.
Studiuesit theksojnë se aktivitetet e ndryshme mendore – si leximi, shkrimi, mësimi i një gjuhe të re, loja e shahut apo vizitat në muze – funksionojnë si një “stërvitje” për trurin. Këto aktivitete ndihmojnë në forcimin e lidhjeve nervore dhe përmirësojnë aftësinë për të menduar dhe për të mbajtur mend.
Një studim i fundit ka treguar se njerëzit që kanë qenë aktivë mendërisht gjatë gjithë jetës kanë një rrezik më të ulët për të zhvilluar Alzheimer apo rënie të aftësive njohëse. Madje, edhe kur sëmundja shfaqet, ajo vonohet mesatarisht deri në pesë vite tek ata që kanë pasur një angazhim të vazhdueshëm intelektual.
Ekspertët e përshkruajnë këtë si krijimin e “rezervës njohëse” – një lloj mbrojtjeje që e ndihmon trurin të përballojë më mirë dëmtimet që vijnë nga plakja apo sëmundjet.
Dhe ajo qё ka mё shumё rёndёsi – nuk është kurrë vonë për të filluar! Edhe në moshë të mesme apo më vonë, përfshirja në aktivitete që stimulojnë mendjen mund të ketë ndikim pozitiv.
Gjithashtu, studiuesit theksojnë se nuk duhet të kufizohemi vetëm në një aktivitet. Për shembull, zgjidhja e fjalëkryqeve çdo ditë mund të të bëjë të mirë në fjalëkryqe, por nuk e sfidon trurin në mënyrë të plotë. Ndaj rekomandohet një kombinim aktivitetesh që aktivizojnë pjesë të ndryshme të mendjes.
Një tjetër faktor kyç është shëndeti fizik. Ushtrimet fizike, gjumi i mirë, kontrolli i tensionit të gjakut dhe ushqimi i shëndetshëm kanë ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e trurit. Sëmundje si diabeti apo hipertensioni mund të dëmtojnë enët e gjakut dhe të ndikojnë negativisht në kujtesë.
Ekspertët shtojnë se edhe vaksinat, si ajo kundër herpesit, mund të kenë një rol mbrojtës ndaj demencës, sipas disa studimeve të fundit.
Nuk ka një formulë magjike për të parandaluar rënien e kujtesës, por një gjë është e qartë: një jetë aktive – mendërisht dhe fizikisht – mund të ngadalësojë ndjeshëm procesin e plakjes së trurit.






