Nga kontrasT.al
Në vendin ku “fatkeqësia natyrore” e kthen territorin të kalueshëm vetëm me gomarë ose kuaj, Kryeministri Rama zgjedh nga helikopteri të shohë katastrofën mjedisore dhe më pas të fajësojë publikisht “masivin natyror” për bllokimin e aksit rrugor Librazhd – Pogradec. Ndërsa akuzat ndaj qeverisë së tij, me retorikën e zakonshme anti-opozitare, i quan “ligësi të madhe, dëshpërim të thellë dhe padije të rëndë”.
Kreu i qeverisë është gati të krijojë një poemë romantike për natyrën e egër, që rrëshqet pa paralajmërim, e që merr me vete jo vetëm dheun, por edhe përgjegjësinë e atyre që nënshkruajnë kontrata qindra miliona euroshe.
Përgjegjësia e investitorit shtet
Nga zëdhënësit e retorikës qeveritare dëgjohen këto ditë çdo lloj justifikimi dhe përjashtimi nga përgjegjësitë. Ato kërkohen te fatkeqësia natyrore, ku futen “erozioni i shtratit të lumit”, “gjeologjia e tokës”, “shiu me gjyma natyrore”, nën zë pranohet përgjegjësia e investitorit privat, por kurrë e atij shtetëror.
Pse investitori shtet duhet të përjashtohet nga përgjegjësitë kur në vendet evropiane, të tilla fatkeqësi gjeologjike shndërrohen në hetime të thella për neglizhencë dhe shpërdorim kriminal?
“Masivi gjigand” italian që zë shembull Kryeministri Rama nuk është thjesht një krahasim i pafajshëm, por një maskë për të fshehur dështimet sistemike të qeverisë së tij. Një maskë që nuk fsheh dot përgjegjësinë e investitorit shtet, që meriton jo vetëm ndalim nga tenderët e ardhshëm, por edhe ndjekje penale shembullore për shkelje të detyrimeve kontraktuale dhe sigurisë publike.
Përgjegjësi penale brenda asaj mjedisore
Sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë (neni 278 për “Shkeljen e rregullave të sigurisë në punë” dhe neni 289 për “Dëmtimin e pronës publike me rrezik për jetën”), çdo subjekt ekonomik që angazhohet në projekte infrastrukturore ka një detyrim absolut për të parashikuar dhe eliminuar rreziqet gjeologjike.
Ky nuk është një sugjerim miqësor, por një detyrim ligjor, i cili buron nga parimi evropian i “duty of care” (detyrimi i kujdesit), i kodifikuar në Direktivën e BE-së 2004/35/EC mbi përgjegjësinë, ndër të tjera përgjegjësinë mjedisore.
Në Shqipëri, ligji kërkon studime të detajuara gjeoteknike para çdo projekti, ndaj dështimi për të identifikuar një apo disa “rrëshqitje masivi natyror” nuk mund të konsiderohet thjesht si një fatkeqësi natyrore, por predispozitë e qartë e konsumimit të një krimi me dëm mjedisor.
Ndërsa Kryeministri flet për “zero lidhje me përgjegjësinë profesionale”, në realitet, zbatuesi, tenderfituesi (që shpesh është një kompani vendase me lidhje politike) – nënshkruan dhe firmos kontrata që e bëjnë atë përgjegjës për çdo defekt, përfshirë ato “natyrore”.
Si i trajton Evropa të tilla “fatkeqësi natyrore”?
Në Itali, që zë shembull Kryeministri, rrëshqitja e masivit në provincën e Modenas në vitin 2023 nuk u trajtua si një ngjarje e izoluar natyrore.
Prokuroria e Bolonjës hapi menjëherë një hetim penal kundër kompanisë ndërtuese të autostradës A1, duke e akuzuar për “neglizhencë kriminale” (colpa grave, sipas Kodit Penal Italian, neni 43).
Arsyeja? Studimet gjeologjike paraprake ishin të pamjaftueshme, pavarësisht se masivi ishte “natyral”.
Rezultati? Kompania u gjobit me 5 milionë euro dhe u përjashtua nga tenderët publikë për dy vjet, bazuar në Ligjin Italian për Antikorrupsionin (Ligji 190/2012).
Italia nuk është rast i izoluar. Në Francë, pas rrëshqitjes së malit në rajonin e Alpeve në 2019, kompania Vinci Concessions u padit për “rrezikim të jetës së të tjerëve” (mise en danger de la vie d’autrui, sipas Kodit Penal Francez, neni 223-1).
Gjykata e Parisit vendosi që investitori shtet kishte detyrim të kryente monitorim të vazhdueshëm gjeoteknik, duke e dënuar me ndalim aktiviteti në projekte publike për tre vjet.
Në Gjermani, pas shembjes së një ure në lumin Rhine në 2018 për shkak të erozionit “natyral”, kompania Strabag u akuzua për “shkelje të detyrimeve fiduciare” (të besueshmërisë) (Pflichtverletzung, sipas BGB §823), duke çuar në një dëmshpërblim prej 10 milionë eurosh dhe përjashtim nga kontratat federale.
Gjykata Federale e Drejtësisë (BGH) argumentoi se zbatuesi i punimeve kishte detyrimin të integronte teknologji si sensorët gjeofizikë për të parandaluar rreziqe, pavarësisht se fenomeni ishte “gjeologjik”.
Faji selektiv i natyrës
Po në Shqipëri? Pse në vendin ku korrupsioni në tendera është endemik (siç raporton Transparency International, duke na renditur në vendin e 98-të globalisht), nuk aplikohet i njëjti standard si në Evropë?
Në Shqipëri, ndodh e kundërta, fajësohet natyra. Ndryshe nga Italia, Gjermania dhe Franca, në Shqipëri “masivi natyror” shërben si alibi perfekte për të mbrojtur zbatuesit dhe tenderfituesit e preferuar të enturazhit qeveritar.
Në Shqipëri, ku ligji 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” kërkon vlerësime rreziku, investitori shtet fshihet dhe shpëton pas “forcës madhore” (force majeure), kur i intereson dhe përfiton prej saj kur mund të nxjerrë përfitime. Interesi shtetëror selekton ngjarjet që shkakton natyra.
Në rastin e tunelit të Krrabës në vitin 2016, ku rrëshqitja e tokës vonoi projektin, zbatuesi i projektit infrastrukturor nuk u penalizua, por iu akordua një shtesë goxha e majme monetare nga buxheti i shtetit. Ndryshe nga sot (2026), kur “forca madhore” konsiderohet vetëm armiqësore, ku natyra duhet të marrë fajin, zbatuesi privat i veprave fitimin, ndërsa investitori shtet në asnjë rast nuk duhet të penalizohet.
Në Evropë dënohet fajtori, në Shqipëri natyra
Disa shembuj evropianë ilustrojnë pse ndalimi penal dhe kriminalizimi i veprimtarisë edhe i investitorit shtet është norma, jo përjashtimi.
Në Spanjë, pas rrëshqitjes në autostradën A-6 në Galicia në 2020, kompania Acciona u dënua për “krim mjedisor” (delito ecológico, sipas Ligjit 26/2007), duke u përjashtuar nga tenderët e BE-së për pesë vjet, sepse nuk kishte kryer analiza hidrogjeologjike të thella.
Në Holandë, shembja e digës në Wilnis në 2003 çoi në hetim penal kundër kompanisë VolkerWessels, bazuar në Ligjin për Mjedisin (Milieubeheerwet), me rezultat ndalim aktiviteti dhe dëmshpërblim masiv.
Në Britaninë e Madhe, pas erozionit bregdetar në Norfolk në 2019, kompania Balfour Beatty u akuzua për “shkelje të detyrimeve shëndetësore dhe sigurisë” (Health and Safety at Work Act 1974, seksioni 3), duke humbur licencën për projekte publike.
Këto raste tregojnë një parim universal evropian: përgjegjësia penale nuk kërkohet te natyra, por ajo shtrihet te ata që nuk parandalojnë “harbimin” e saj.
Në Shqipëri, kontratat publike duhet të kërkojnë gjithnjë “detyrim absolut – due diligence”, sepse “Amnezia kontraktore” me sponsor investitorin shtet, tashmë është kthyer në fenomen sa natyror aq dhe qeveritar, ku ligji trajtohet si masivi: rrëshqet kur i leverdis pushtetit.
Rruga Egnatia në Perandorinë e “Qeverisë”
Rruga e famshme Egnatia, në kohët e lashta, lidhte Romën dhe Kostandinopojën, dy kryeqytetet e Perandorisë Romake. Këto ditë, për shkak të bllokimit të rrugës “moderne” së shkatërruar, kjo gjurmë rruge 2 mijë vjeçare po përdoret për të lidhur Librazhdin me Pogradecin, dy qytete të “Perandorisë së Qeverisë”.
Bllokimi rrugor i aksit kryesor të Juglindjes së Shqipërisë, ka sjellë në ditët e para të kësaj ngjarjeje “gjeologjike”, një shok social ekonomik të pamatë, që sot për sot nuk mund të përllogaritet. Dhe kjo këtë herë, nuk mund të trajtohet si fatkeqësi natyrore, ku shteti investitor dhe tenderfituesit e tij të trajtohen si perënditë greke, ndërsa populli të paguajë faturën e papërgjegjshmërisë së “natyrës”.
Evropa na jep shembuj konkretë se si duhet vepruar me aksin e shkëputur “Librazhd-Pogradec”. Ajo na mëson se procesi penal është dhe mbetet mjeti kryesor për të mbrojtur interesin publik. Shqipëria nuk mund të veprojë ndryshe nga shembujt evropianë në bërjen e një hetimi të pavarur, ndjekje penale për neglizhencë kriminale dhe shpërdorim detyre për kompanitë përgjegjëse, duke i përjashtuar “përjetësisht” fajtorët prej tenderave publikë.
Vetëm kështu, rruga juglindore e Shqipërisë do ribëhet për të mos u shembur përsëri nga erozioni korruptiv, ndërsa “histeria” politike do të shndërrohej në një histori drejtësie reale. Nëse nuk veprohet si në Evropë, masivet e “Librazhdit” do të rrëshqasin sërish, qeveria do kërkojë “fajtorët” në qiell, ndërsa njerëzit do vazhdojnë t’i luten zotave të tij.
© Ky është shkrim ekskluziv i kontrasT.al, i cili gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar burimin e tij.





