Prokurorët francezë kanë hapur një hetim të gjerë ndaj biznesmenit egjiptian Mohamed Al-Fayed, ish-pronarit të Harrods dhe hotelit luksoz Ritz në Paris, për një rrjet të dyshuar trafikimi dhe abuzimi seksual me gra të reja, që sipas hetuesve mund të ketë funksionuar për dekada në Francë dhe Britani.
Rasti ka tërhequr vëmendje të madhe edhe për shkak të lidhjes së Al-Fayed me një nga ngjarjet më të njohura në historinë moderne britanike: ai ishte babai i Dodi Al-Fayed, i cili vdiq në aksidentin fatal të vitit 1997 në Paris së bashku me princeshë Dianën.
Hetimi në Francë u hap këtë vit nga një njësi e specializuar për trafikimin e qenieve njerëzore, ndërsa burime gjyqësore thonë se mënyra e funksionimit të rrjetit të dyshuar ka ngjashmëri me skemën e përdorur nga Jeffrey Epstein në Shtetet e Bashkuara.
Akuzat ndaj Al-Fayed, i cili vdiq në vitin 2023 në moshën 94-vjeçare, dolën fillimisht në dritë pas një investigimi të BBC në vitin 2024, ku disa gra që kishin punuar në dyqanin luksoz Harrods në Londër e akuzuan për përdhunim dhe sulme seksuale. Deri tani, policia britanike thotë se 154 gra kanë deklaruar se janë abuzuar prej tij.
Në hetimin francez përfshihet edhe vëllai i tij Salah Fayed, i cili ndërroi jetë në vitin 2010, dhe që gjithashtu akuzohet për përfshirje në abuzime dhe shfrytëzim seksual.
Një nga dëshmitë kryesore është ajo e Rachael Louw, një ish-punonjëse e Harrods, e cila ka treguar për herë të parë për përvojën e saj para hetuesve francezë. Ajo thotë se në vitin 1993 ishte “pikasur” nga Mohamed Al-Fayed ndërsa punonte si shitëse në dyqan dhe më pas u përfshi në një program trajnimi menaxherial që e çoi drejt punës në zyrën e tij.

Sipas saj, para se të punësohej, iu kërkua një kontroll mjekësor shumë i detajuar nga një mjek në Londër, që përfshinte ekzaminime intime dhe teste shëndetësore deri te analizat pёr HIV, ndërsa raporti mjekësor iu dorëzua më pas kompanisë Harrods dhe përmbante edhe informacione personale për jetën e saj.
Avokatët e viktimave pretendojnë se këto kontrolle shërbenin për të përzgjedhur gra të reja që më pas do të dërgoheshin pranë biznesmenëve. “Këto vajza trajtoheshin si mish për konsum”, tha një nga juristёt që përfaqëson viktimat.
Louw tregoi se më pas u dërgua me avion privat në jug të Francës për të punuar për Salah Fayed, por në vend të një pune normale administrative u gjend në një mjedis ku, sipas saj, nuk kishte orare, nuk kishte punë zyre dhe pritej vetëm të shoqëronte biznesmenin në darka me burra të pasur dhe vajza të reja.
Ajo tha gjithashtu se pas mbërritjes në jahtin e tij në Rivierën Franceze, pasaporta iu konfiskua nga stafi, ndërsa në disa raste pretendon se edhe ёshtё droguar.
Në një nga episodet që përshkruan në dëshminë e saj, Louw tha se u zgjua një natë dhe gjeti Salah Fayed në shtratin e saj, duke pretenduar se ndihej i vetmuar. Ajo thotë se kaloi gjithë natën pa lëvizur nga frika se çdo reagim mund të interpretohej si ftesë për kontakt.
Një tjetër ish-asistente personale, Kristina Svensson, gjithashtu ka dëshmuar se gjatë kohës që punonte për Mohamed Al-Fayed në hotelin Ritz në Paris, ai e thërriste shpesh në takime ku përfundonte duke u përballur me sulme seksuale dhe tentativa përdhunimi.
Sipas saj, gjatë intervistës për punë në Ritz pyetjet nuk kishin lidhje me CV-në apo aftësitë profesionale, por me pamjen fizike dhe jetën personale. Ajo tha gjithashtu se në vilat e familjes në Francë stafi i sugjeronte të bllokonte derën e dhomës gjatë natës, duke e paralajmëruar për rrezikun.
Avokatët që përfaqësojnë viktimat thonë se dëshmitë e mbledhura deri tani tregojnë për një sistem të organizuar për përzgjedhjen, transportimin dhe izolimin e grave të reja, një model që sipas tyre ngjan shumë me skemën e trafikimit të zbuluar në rastin Epstein.
Megjithëse Mohamed Al-Fayed dhe vëllai i tij kanë ndërruar jetë, hetuesit francezë po përpiqen të identifikojnë personat që mund të kenë ndihmuar ose lehtësuar këtë rrjet, përfshirë punonjës, ndërmjetës apo bashkëpunëtorë të tjerë.
Ndërkohë, dyqani Harrods dhe hoteli Ritz në Paris kanë deklaruar se mbështesin viktimat që kanë folur publikisht dhe se janë të gatshëm të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet.
Policia tha se hetimet për personat që mund të kenë ndihmuar Mohamed Al-Fayed vazhdojnë dhe u bëri thirrje viktimave të tjera të dalin përpara.
Sipas juristëve që ndjekin çështjen, edhe pse disa nga veprat mund të jenë të parashkruara, hetimi mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të skemës dhe në identifikimin e rasteve që ende mund të ndiqen penalisht.
(Burimi: France 24 dhe AFP)






