Një tjetër skandal financiar ka shpërthyer në Devoll, këtë herë në zyrën postare, ku dy punonjëse akuzohen se kanë vjedhur rreth 22 milionë lekë të rinj nga fondet e pensioneve dhe ndihmës ekonomike, duke falsifikuar dokumente dhe manipuluar sistemin financiar të institucionit. Hetimet e Policisë së Korçës kanë zbuluar një skemë të mirëorganizuar që ka funksionuar për disa muaj pa u diktuar nga strukturat e kontrollit.
Në qendër të kёsaj vjedhjeje janë Paola Shaholli, 29 vjeçe, përgjegjëse e zyrës postare Vishocicë, dhe Eda Çeliku, 27 vjeçe, arkëtare-llogaritare. Sipas materialeve të referuara në Prokurori, nga shtatori i vitit 2025 deri në janar 2026, Shaholli dyshohet se ka përvetësuar fondet e pensioneve dhe të ndihmës ekonomike, kryesisht të përfituesve që jetonin jashtë Shqipërisë, duke falsifikuar firmat e tyre për të tërhequr paratë në emër të tyre. Ndërkohë, Çeliku dyshohet se ka manipuluar librat e arkës dhe sistemin e menaxhimit të parave cash, duke hequr mandatpagesa nga evidencat për të fshehur mungesat dhe për të bërë të mundur që vjedhja të mos zbulohej gjatë kontrolleve rutinë.
Skema ishte e thjeshtë, por efektive: njëra tërhiqte fondet, tjetra fshinte gjurmët. Për muaj me radhë, pensione dhe ndihma ekonomike figuronin si të shpërndara rregullisht, ndërkohë që paratë përfundonin në duar të tjera. Policia i akuzon dy të rejat për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “falsifikim dokumentesh” dhe “falsifikim kompjuterik”, të kryera në bashkëpunim, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse persona të tjerë kanë qenë të përfshirë ose kanë mbyllur sytë ndaj kësaj skeme.
Rasti ka ngjallur zemërim në zonë, veçanërisht sepse viktimat reale janë pensionistët dhe familjet në ndihmë ekonomike, shumë prej të cilëve jetojnë jashtë vendit dhe nuk kanë mundur ta kuptojnë se përfitimet e tyre po përvetësoheshin. Në të njëjtën kohë, rasti ka ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën si kontrollohen institucionet nё nivel vendor dhe si është e mundur që për një periudhë relativisht të gjatë askush të mos vërë re mungesën e miliona lekëve.
Devolli njihet si një zonë ku qarkullojnë shumë para për shkak të afërsisë me pikën kufitare të Kapshticës dhe fluksit të emigrantëve që kryejnë shërbime financiare në Shqipëri. Prej kohësh banorët kanë ngritur shqetësime se institucione të caktuara në zonë janë kthyer në terren të përsëritur abuzimesh financiare, por rasti i Postës Shqiptare është një nga më të rëndët e zbuluar deri tani, pas njё banke tё nivelit tё dytё nё zonё, drejtorёt e sё cilёs nё mёnyrё tё pёrsёritur kanё pёrvetёsuar kursimet e emigrantёve dhe janё arratisur.
Posta Shqiptare ka deklaruar se fondet e pensioneve do të vijojnë të shpërndahen normalisht dhe se ka depozituar kallëzim penal për rastin, ndërsa organet e drejtësisë pritet të përcaktojnë përgjegjësitë penale të të përfshirave.
Deklarata e plotë pёr median e Postës Shqiptare:
Posta Shqiptare informon opinionin publik se, pas konstatimit të disa parregullsive në administrimin e fondeve financiare në Zyrën Postare Bilisht, Filiali i Postës Shqiptare Korçë ka ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet administrative dhe ligjore të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
Si rezultat i kontrolleve të brendshme të kryera nga strukturat përkatëse të institucionit, janë evidentuar dyshime të arsyeshme për mungesë fondesh dhe parregullsi në dokumentacionin financiar. Për këtë arsye, Posta Shqiptare, nëpërmjet Filialit Korçë, ka depozituar zyrtarisht kallëzim penal pranë organeve kompetente të drejtësisë, duke kërkuar fillimin e procedimit penal për personin përgjegjës, në përputhje me dispozitat e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.
Posta Shqiptare siguron qytetarët se fondet e pensioneve nuk janë cenuar dhe shpërndarja e tyre vijon normalisht, pa asnjë ndërprerje, duke garantuar vazhdimësinë e shërbimit për të gjithë përfituesit.
Posta Shqiptare thekson se ka bashkëpunuar dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë plotësisht me organet e hetimit për zbardhjen e plotë të këtij rasti, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm.
Institucioni distancohet nga çdo formë abuzimi me detyrën dhe mbetet i angazhuar maksimalisht për garantimin e transparencës, ligjshmërisë dhe mbrojtjes së interesit publik. Çdo shkelje e konstatuar trajtohet me seriozitet maksimal dhe referohet pa vonesë pranë autoriteteve kompetente.
Duke respektuar procesin hetimor dhe parimin e prezumimit të pafajësisë, Posta Shqiptare nuk mund të japë detaje të mëtejshme mbi çështjen në këtë fazë, por siguron publikun se po merren të gjitha masat e nevojshme për forcimin e kontrollit të brendshëm dhe parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen.





