Nga kontrasT.al
Në një kohë kur Shqipëria aspiron integrimin e plotë në Bashkimin Evropian dhe promovon qeverisjen elektronike sipas Ligjit “Për Qeverisjen Elektronike”, një raport auditimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) zbulon një realitet tjetër skandaloz:
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), institucioni kyç për zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe administrative mbi pasuritë e origjinës kriminale, operon pa dokumentacion bazë rregullator e teknik për infrastrukturën e TI-së, pa strukturë të përhershme IT dhe pa një sistem funksional elektronik për regjistrin e pasurive (SPSK).
Shkurt, AAPSK nuk arrin as nivelin e një zyre periferike imobiliare në menaxhim pasurish.
Ironikisht, ky institucion që menaxhon pasuri të konfiskuara nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, nuk arrin të menaxhojë as asetet e veta teknologjike, duke u mbështetur në tabela arkaike “Excel” dhe njohuritë bazë të punonjësve të rekrutuar me mik.
Situata në AAPSK të kujton epokën “para-dixhitale” në Shqipëri, në kundërshtim të plotë me standardet europiane për sigurinë e informacionit dhe kërkesat ligjore në fuqi për regjistrin elektronik.
Raporti asgjësues
Raporti përfundimtar i KLSH-së (Korrik 2025) evidenton mungesën sistematike të rregullores për përdorimin e infrastrukturës TI, dokumentacionit të arkitekturës dhe konfigurimit, kategorizimit të informacionit, procedurave të ruajtjes së të dhënave, menaxhimit të aseteve dhe përdoruesve, si dhe pikave të kontaktit për trajtimin e incidenteve.
Kjo defiҫencë strukturore cenon konfidencialitetin, integritetin dhe disponueshmërinë e të dhënave, duke krijuar rreziqe të larta kibernetike – pa antivirus për rrjetin, me akses administrator lokal të plotë për të gjithë përdoruesit dhe pa licencime të dokumentuara për një pjesë të softuerëve Microsoft Office (7 nga 34 pajisje pa licencë të verifikuar). Për më tepër, SPSK, i instaluar nga AKSHI në 2019 me kontratë mirëmbajtjeje 4-vjeçare (konfidenciale), mbetet jo-funksional që nga periudha e auditimit të mëparshëm të përputhshmërisë (2023), ku KLSH rekomandoi vënien në punë të tij.
Punonjësit e AAPSK vazhdojnë të përdorin Excel si alternativë të përkohshme, duke rrezikuar humbjen e të dhënave dhe mungesën e kopjeve rezervë periodike – një risk i qartë për vazhdimësinë operacionale dhe auditueshmërinë.
AAPSK, ura “e prishur” midis drejtësisë dhe administrimit
AAPSK, megjithëse është hallka lidhëse midis organeve të drejtësisë dhe publikut për administrimin e pasurive që i sekuestrohen apo konfiskohen aktivitetit kriminal, nuk ka mbështetje të qëndrueshme nga IT-ja e Ministrisë së Brendshme apo AKSHI.
E qëllimshme? Mbështetja kufizohet vetëm në një praktikant 1-vjeçar për dixhitalizimin e arkivës bazuar në një vendim të vitit 2015, ndërsa problemet e raportuara tek AKSHI mbeten pa zgjidhje të dokumentuara. Fondet e investuara për SPSK (pa efektivitet e efiçencë) pasqyrojnë një paradoks të thellë: një agjenci që synon rritjen e të ardhurave nga pasuritë e konfiskuara (siç raportohet në raportet vjetore 2024 të AAPSK-së) nuk investon në kapacitete dixhitale bazike.
Këto defiҫite nuk janë të izoluara, por pasqyrojnë probleme sistematike në gjyqësorin shqiptar. Sipas raporteve të Komisionit Evropian (2024–2025) dhe analizave të GRECO, Shqipëria ka progres të kufizuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar: norma të ulëta konfiskimi të pasurive kriminale, vonesa gjyqësore të theksuara, ndërhyrje politike në sistemin gjyqësor, mungesë efikasiteti në hetimet financiare dhe presion mbi gjyqtarët/prokurorët. Vetting-u ka pasur efekt, por korrupsioni mbetet endemik në sektorë vulnerabël, duke penguar zbatimin efektiv të konfiskimeve.
AAPSK, si urë midis drejtësisë dhe administrimit, “zhvesh” dhe tregon këtë defiҫencë: pa sistem funksional, transparenca dhe efikasiteti i proceseve gjyqësore bien, duke favorizuar potencialisht abuzime ose humbje të pasurive.
Po në BE?
Në kontrast me “imobiliaren” e Shqipërisë, vendet e BE-së ofrojnë modele tejet të avancuara. Në Itali, Agenzia Nazionale per i Beni Sequestrati e Confiscati (ANBSC) dhe sistemi i ri-përdorimit social të pasurive (modeli Libera) përdorin platforma dixhitale të integruara për gjurmimin, menaxhimin dhe monitorimin në kohë reale të pasurive, me ndërveprim me bazat e të dhënave të policisë, prokurorisë dhe regjistrave civilë. Kjo siguron efikasitet, transparencë dhe parandalim të zhvlerёsimit të pasurive, duke gjeneruar të ardhura dhe përdorim social.
Direktivat e BE-së për konfiskimin (si propozimi për fuqizimin e Zyrave të Rimëkëmbjes së Pasurive) dhe rrjeti CARIN theksojnë përdorimin e teknologjive të avancuara për regjistra elektronikë, analiza të të dhënave dhe bashkëpunim ndërinstitucional – standarde që Shqipëria aspiron por nuk i plotëson.
Modele të ngjashme në Rumani dhe Bullgari (me agjenci të dedikuara) kanë sfida, por përfshijnë sisteme më të mira dixhitale dhe fokus në hetime financiare sistematike.
Çfarë thotë KLSH?
Rekomandimet e KLSH-së për AAPSK janë urgjente. Ajo kërkon:
- Miratimin e një strukture IT të përhershme
- Bashkëpunim me AKSHI dhe Ministrinë e Brendshme
- Zgjidhjen e mangësive të SPSK
- Kufizimin e privilegjeve të përdoruesve
- Instalim antivirus
- Dokumentimin e plotë të aseteve dhe licencave
- Hartim të rregullores bazë dhe rishikimin e rregullores së brendshme.
Pra, një “vandak” me rekomandime që nxjerrin në pah një strukturë me kompetencë pothuajse zero në menaxhimin e aseteve që drejtësia penale i sekuestron dhe ua konfiskon aktiviteteve kriminale në Shqipëri.
Raporti i KLSH-së për AAPSK nxjerr në pah një propagandë të shëmtuar dhe bajate që bëhet për “suksesin” e luftës ndaj krimit të organizuar në Shqipëri. Ku SPAK dhe GJKKO “sekuestron” dhe AAPSK për interesa të shtetit “menaxhon”.
Ky raport nuk është thjesht një listë defiҫitesh teknike, por një metaforë e hidhur për një gjyqësor që lufton të konfiskojë pasuri nga kriminelët, por nga ana tjetër nuk arrin të “konfiskojë” dot veten nga mungesa e kompetencës dhe e modernizimit.
Derisa Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara të kalojë nga “Excel”-i në sisteme të vërteta dixhitale, aspiratat evropiane të Shqipërisë do të mbeten propagandë bajate “on line” apo në letër, ndërsa AAPSK do vazhdojë të jetë thjesht një “Agjenci imobiliare” e dorës së dytë, me zyra të një hyrje në katin e dytë të Kompleksit “Delijorgji”.


© Ky është shkrim ekskluziv i kontrasT.al, i cili gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar burimin e tij.






