Policia Metropolitane e Londrës arrestoi këtë të mërkurë tre persona, nën dyshimin se kanë “ndihmuar një shërbim të huaj inteligjence”, vepër e sanksionuar nga Akti i Sigurisё Kombёtare. Në njoftimin zyrtar, policia konfirmoi se shteti i huaj për të cilin dyshohet se është kryer ndihma është Kina, por pa i bërë publik emrat e të arrestuarve, sipas praktikës britanike.
Pak orë më pas, çështja mori menjëherë përmasë politike. Deputetja laburiste Joani Reid reagoi publikisht duke sqaruar se hetimi ka lidhje me bashkëshortin e saj, David Taylor. Ajo tha se nuk ka parë kurrë “asgjë që ta bënte të dyshonte” se i shoqi ka shkelur ligjin dhe theksoi se as ajo, as fëmijët e saj nuk janë pjesë e hetimit.
Sipas të dhënave publike të interesave parlamentare, Taylor rezulton i regjistruar si lobist që nga gushti 2024, për shkak të rolit të tij si drejtor i një kompanie komunikimi dhe konsulence në Londër. Po ashtu, ai është edhe drejtues programesh në Asia House, një institut kërkimor në Londër që merret me dialogun mes Azisë, Lindjes së Mesme dhe Evropës. Asia House tha se nuk mund të komentojë mbi një hetim aktiv dhe se nuk ka informacion përtej asaj që është bërë publike.
Policia dha vetëm të dhëna të përgjithshme për të arrestuarit: një 39-vjeçar i ndaluar në Londër, një 68-vjeçar në Powys (Uells) dhe një 43-vjeçar në Pontyclun (Uells). Autoritetet britanike nuk kanë shpjeguar publikisht se çfarë konkretisht dyshohet se është transferuar si informacion, por kanë theksuar se bëhet fjalë për çështje serioze dhe se hetimi lidhet me “ndërhyrje të huaj që synon demokracinë britanike”. Ministri i sigurisë, Dan Jarvis, pranoi në Parlament se qeveria është “thellësisht e shqetësuar” nga një model në rritje i aktivitetit të fshehtë të aktorëve të lidhur me shtetin kinez, që synojnë të marrin informacion mbi politikëbërjen britanike dhe të ndikojnë punët sovrane të vendit.
Lajmi vjen në një klimë të ndezur në Britani për çështjet e sigurisë dhe ato me Kinën. Qeveria laburiste ka tentuar të zbusë marrëdhëniet ekonomike me Pekinin pas vitesh tensionesh, ndërsa debati publik është rritur edhe më shumë pas vendimit për të miratuar një “mega-ambasadë” kineze në qendër të Londrës. Në të njëjtën kohë, opozita konservatore po e përdor këtë rast për të goditur qeverinë, duke kërkuar sqarime të plota dhe duke ngritur dyshime se institucionet kanë qёnë të buta ndaj ndikimit kinez. Dhe këtu del në pah detaji që e bën këtë histori edhe më të rëndë: regjistrimi si lobist.
Në letër, lobimi shitet si “transparencë”, por në praktikë ky rast tregon se sa e lehtë është që kanalet e ndikimit, takimet, kontaktet, “konsulencat” dhe lidhjet të jenë një terren ideal për depërtim, rekrutime, apo mbledhje informacioni. Edhe pa prova për fajësi (që duhet t’i vërtetojë vetëm hetimi), fakti që një person i lidhur me politikën dhe i regjistruar si lobist përfundon nën dyshim për bashkёpunim me njё shёrbim inteligjence të huaj, tregon edhe njё herё mё shumё se sa e hollë është vija e padukshme ndarёse ndёrmjet “ndikimit” dhe “ndërhyrjes”.
Pikërisht për këtë, rasti britanik duhet lexuar edhe si paralajmërim për Shqipërinë, ku ligji i ri për lobimin sapo ёshtё miratuar nga njё parlament ballkanik, pa asnjё diskutim serioz, ligj qё tashmё ka hyrë në fuqi.
Ekspozuar ndaj spiunazhit?
Nёse Anglia zbuloi se njё “lobist” nё tё vёrtetё ishte njё spiun, Shqipёria nuk mund ta ketё kёtё aftёsi kundёrzbuluese, por mund tё kishte aftёsi tё mos krijonte “vendqёndrime” me ligj pёr ta.
Nëse Shqipёria nuk ka filtra tё fortё dhe realë, aftёsi kontrolli dhe gjurmueshmërie të kontakteve, “regjistri i lobimit” rrezikon të kthehet në një pasaportё për “ndërmjetësit e ndikimit”, një derë ku nuk hyn vetëm “transparenca”, por mund të hyjë edhe korrupsioni i veshur me kontratë.
Nёse nё Shqipёri, ndryshe nga SHBA apo Britani, njё “lobim” i regjistruar mund tё kthehet lehtё nё korrupsion tё ligjёruar, në skenarin më të keq, nё zyrёn e “lobuesit” mund tё futet edhe njё spiun i maskuar. Dhe ai nuk ёshtё e nevojshme tё ketё fytyrёn e dallueshme tё njё kinezi, por thjesht tё paguhet prej tij, pёr punёn e nderuar “patriotike” tё lobistit.



© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





