Testohet “Smart Grapple” nё Francё dhe Gjermani
Një robot i ri nënujor premton të ndryshojë mënyrën se si bota përballet me ndotjen e oqeaneve. I quajtur Smart Grapple, ky sistem autonom i zhvilluar në Universitetin Teknik të Mynihut (TUM) në Gjermani është projektuar të pastruar shtratin e detit duke kapur dhe nxjerrë në sipërfaqe mbeturinat e rënda që aktualisht paraqesin një rrezik serioz për mjedisin detar. Ai është në gjendje të identifikojë copa individuale mbeturinash dhe të ngrerë objekte që peshojnë deri në 250 kilogramë dhe janë deri në një metër të gjata, duke i dërguar më pas në një barkë të vogël autonome, e cila i transporton drejt bregut për riciklim.
Mbeturinat detare përbëjnë një nga kërcënimet më të mëdha mjedisore të kohës sonë. Pajisjet e braktisura të peshkimit dhe enët plastike mund të ngatërrojnë ose mbytin kafshët nënujore, ndërsa plastikat e zakonshme shpërbëhen në mikroplastika që lëshojnë kimikate toksike në ujë. Studime të fundit sugjerojnë se ngrënia e mikroplastikës mund të ndikojë edhe në aftësinë e planktonit për të ruajtur karbonin në fundin e oqeanit — një proces jetik që lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike. Sipas vlerësimeve, midis viteve 1950 dhe 2020, 32 milionë ton metrikë plastikë janë grumbulluar në oqeane, një peshë e barasvlershme me 200,000 balena blu, dhe pa ndërhyrje nga ana e shteteve, kjo shifër rrezikon të rritet në 76 milionë ton deri në vitin 2040.
Në këtë realitet alarmues, Smart Grapple vjen si një zgjidhje teknologjike e mbështetur nga inteligjenca artificiale. Roboti identifikon mbeturinat me anë të një kamere të integruar dhe, në ujëra të turbullta, përmes imazheve sonar. Pasi ka lokalizuar objektin, ai krijon një pamje 3D, e cila e ndihmon të planifikojë mënyrën më të përshtatshme për ta kapur me dorën e tij me katër gishta, duke ushtruar presion të saktë për të shmangur shpërbërjen e mbeturinave në copa të vogla. Sistemi është i pajisur me një rrjet të ndërlikuar sensorësh që kontrollojnë forcën e kapjes.
Roboti është 115 centimetra i lartë, ka një diametër prej 70 centimetrash dhe peshon 120 kilogramë. Ai është i lidhur me anë të një kablloje me barkën në sipërfaqe, jo vetëm për furnizim me energji, por edhe për të mundësuar tërheqjen e objekteve të rënda si me kabllo vinçi, ndërkohë që mund të lëvizë në ujë falë motorëve shtytës të integruar.
“Mund ta përdorim kabllon si kabllon e një vinçi, dhe pastaj vinçi mund ta tërheqë lart sistemin, gjë që është më efikase sesa roboti i vogël që përpiqet të notojë lart,” shpjegon Stefan Sosnowski, kreu i ekipit kërkimor në TUM. Ndërsa Nicolas Hoischen, student doktorature që ka punuar dy vite në projekt, e përshkruan punën me robotin si jashtëzakonisht frymëzuese: “Është vërtet marramendëse dhe e mahnitshme të shohësh se sa larg mund të shkojmë pas dy vitesh zhvillimi.”
Smart Grapple është pjesë e projektit të financuar nga BE-ja SeaClear 2.0, një iniciativë që synon hartëzimin dhe mbledhjen e mbeturinave detare përmes një sistemi robotësh pa pilot. Në projekt marrin pjesë 13 organizata evropiane, universitete dhe kompani të teknologjisë nënujore. Flota robotike përfshin edhe sisteme të tjera si Mini Tortuga, robot që skanon shtratin e detit për praninë e mbeturinave. Bart De Schutter, koordinatori i projektit, beson se teknologjia robotike mund të revolucionarizojë këtë fushë: “Zhytësit njerëzorë nuk mund të punojnë 24/7 dhe janë të pakët. Me zgjidhje robotike, mund të rritet jashtëzakonisht shtrirja e pastrimit.”
Megjithatë, Sosnowski paralajmëron se teknologjia nuk duhet të përdoret si justifikim për të vazhduar ndotjen: “Nuk mund të vazhdojmë thjesht të hedhim mbeturina në oqeane dhe të mbështetemi te robotët. Në disa zona specifike me presion ekologjik të lartë, sistemet robotike do të ndihmojnë patjetër.”
Smart Grapple është testuar tashmë në Portin e Marsejës në Francë dhe Portin e Hamburgut në Gjermani, ku ka nxjerrë nga uji një gamë të gjerë objektesh, nga sedilje makinash deri te copa tekstili. Roboti është ende në fazë konfigurimi dhe në disa teste kontrollohet nga distanca, por ekipi thotë se teknologjia po i afrohet funksionimit të plotë autonom.
Një nga sfidat më të mëdha gjatë zhvillimit ishte mësimi i robotit për të dalluar midis mbeturinave dhe elementeve natyrore. 7,500 imazhe nënujore të etiketuara manualisht nga studentët e TUM u përdorën për të trajnuar rrjetin nervor – koleksioni më i madh i këtij lloji i krijuar deri më sot, sipas Sosnowskit.

(Pёrshtatur nga CNN)






