Sapo ka nisur në Gjykatën Kushtetuese seanca plenare publike ku po shqyrtohet ankimi i Kryeministrit kundër vendimeve të GJKKO-së që pezulluan nga detyra Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku. Për herë të parë, përballë trupës kushtetuese vihet në provë kufiri mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor, në një çështje që pritet të përcaktojë standardin e trajtimit të ministrave nën hetim penal.
Thelbi i përplasjes është nëse një gjykatë penale ka kompetencë të pezullojë ushtrimin e detyrës së një anëtari të qeverisë, apo nëse një masë e tillë cenon imunitetin dhe balancën kushtetuese të pushteteve.
Qeveria kërkon shfuqizimin e dy vendimeve të GJKKO-së të nëntorit 2025, duke argumentuar se pezullimi i ministrit nga detyra bie ndesh me garancitë që Kushtetuta u njeh anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe me parimin e ndarjes së pushteteve.
Seanca e sotme nuk është thjesht një debat procedural. Ajo pritet të vendosë një precedent të rëndësishëm: nëse drejtësia penale mund të ndalojë ushtrimin e funksionit ekzekutiv gjatë hetimit, apo nëse qeveria gëzon një mburojë institucionale deri në përfundim të mandatit politik.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet me interes të lartë, jo vetëm për fatin e Belinda Ballukut, por edhe për raportin e ardhshëm mes drejtësisë së re dhe pushtetit politik në Shqipëri.






