Fermë e izoluar në shkretëtirën e Nju Meksikos, pistё private uljeje, vila në stil spanjoll dhe siguri e lartë. Për vite me radhë, Zorro Ranch – prona 7,500 hektarë e Jeffrey Epstein pranë Santa Fe – qëndroi në hije, ndërsa hetimet u përqendruan tek shtëpitë e tij në Nju Jork, Palm Beach apo tek ishulli famëkeq në Karaibe.
Sot, ajo që për një kohë të gjatë u la mënjanë, po rikthehet në qendër të vëmendjes pas publikimit të dosjeve të reja federale në SHBA, të cilat përmbajnë mijëra referenca për fermёn dhe akuza tronditëse për atë që mund të ketë ndodhur atje.
Ish-prokurori i përgjithshëm i Nju Meksikos, Hector Balderas, i cili shërbeu nga viti 2015 deri në 2023, i tha The Sun se hetuesit në të kaluarën neglizhuan rёndё duke mos sekuestruar dhe kontrolluar fermën kur Epstein ishte ende gjallë.
“Shpejtësia dhe burimet janë thelbësore në rastet e abuzimit seksual,” u shpreh ai. “Sa më shumë kohë kalon, aq më shumë humbasin prova dhe aq më shumë shkatërrohen gjurmë.”
Balderas nisi një hetim mbi pronën në vitin 2019, pak kohë para arrestimit të Epstein për trafikim seksual. Por sipas tij, hetimi u ndal me kërkesë të prokurorëve federalë në Nju Jork. Që atëherë, prona është shitur, Epstein ka vdekur në burg në vitin 2019 dhe një nga viktimat më të njohura, Virginia Giuffre, i dha fund jetës së saj vitin e kaluar.
Megjithatë, publikimi i dosjeve të reja të FBI-së ka rindezur kërkesat për një hetim të plotë të fermës, e cila – ndryshe nga pronat e tjera të Epstein – nuk është kontrolluar kurrë zyrtarisht nga autoritetet.


Akuzat më tronditëse
Ndër pretendimet më të rënda që dalin nga dokumentet e deklasifikuara është një email i dërguar nga një person që pretendon të ketë qenë punonjës në Zorro Ranch. Në të thuhet se dy vajza të huaja janë mbytur gjatë akteve seksuale të dhunshme dhe më pas janë varrosur në pronë me urdhër të Epstein.
Dokumenti përfshin gjithashtu pretendime se kabinat në fermë janë përdorur për marrëdhënie seksuale me të mitura dhe se sëmundjet seksualisht të transmetueshme janë përdorur si mjet shantazhi ndaj viktimave.
Një tjetër raport i FBI-së, i datës 19 korrik 2019 – pak ditë pas arrestimit të Epstein – përshkruan një telefonatë nga një ish-oficer policie në Nju Meksiko. Ai shprehte shqetësimin se në pronë ishte ndërtuar një hambar “i dyshimtë” me oxhak dhe hyrje të sigurt me dyer të shumëfishta që nuk hapen njëkohësisht, e që mund të fshihte një incenerator për djegien e provave.
Ish-polici, i cili kishte patrulluar zonën për 15 vite, tha se ndërtimi nuk ngjante me një strukturë tipike bujqësore dhe se në pronë kishte masa të shumta sigurie, përfshirë kamera dhe hyrje të kontrolluara. Ai deklaroi se ishte i shqetësuar se provat po shkatërroheshin.


Si u anashkalua Zorro Ranch
Ndërsa hetuesit kontrolluan shtëpitë e Epstein në Nju Jork dhe Florida, Zorro Ranch mbeti jashtë kontrollit formal. Balderas thekson se kjo përbën një dështim të rëndë institucional.
Ai kujton se ligjet e trafikut njerëzor në Nju Meksiko, të miratuara në 2008, nuk u forcuan mjaftueshëm, duke i lejuar Epstein – pavarësisht dënimit të tij në Florida po atë vit – të mos regjistrohej si shkelës seksual në këtë shtet.
Sipas tij, izolimi i fermës, larg syve të publikut dhe mediave, e bëri atë një vend ideal për veprimtari të fshehta.
“Besoj se Epstein e zgjodhi atë vend pikërisht për shkak të izolimit,” tha Balderas. “Por kjo nuk justifikon pse nuk u kontrollua kurrë.”
Dokumentet tregojnë se Epstein kalonte rreth 50 ditë në vit në fermë, shpesh për periudha dy- apo trejavore gjatë verës. Ai shoqërohej nga asistente personale, truproje, miq, trajnerë personalë dhe masazhatore. Në pronë punonin pesë deri në gjashtë punonjës me kohë të plotë.
Kompleksi përfshinte vilën kryesore, pistë private uljeje, hangar, helipad dhe një zonë të quajtur “Ranch Central”, ku strehoheshin mysafirët.


Mysafirët dhe përgjegjësia
Në dokumente përmenden mijëra referenca për vizitorë të profilit të lartë. Viktima si Virginia Giuffre kanë dëshmuar se në fermë kanë parë figura të njohura, përfshirë princin Andrew. Ky i fundit ka mohuar përfshirjen në abuzime dhe nuk ka pranuar publikisht se ka qenë në Zorro Ranch.
Një tjetër viktimë anonime deklaroi në gjykatë në vitin 2019 se ishte dërguar në fermë me avionin privat të Epstein në moshën 15-vjeçare dhe ishte abuzuar për orë të tëra.
Balderas thekson se hetimi duhet të shtrihet mbi të gjithë, pavarësisht statusit apo pozitës.
“Nuk ka rëndësi nëse je profesor i zakonshëm apo zyrtar i lartë. Ajo që ka rëndësi është nëse pushteti është përdorur për të shfrytëzuar një fëmijë,” tha ai.
Sipas tij, modeli i veprimit në këtë rast ngjan me raste të tjera të abuzimit të pushtetit, përfshirë skandalet në institucionet fetare, ku figura me ndikim përdorën autoritetin për të heshtur viktimat.
Ai beson se me dokumentet e reja, hetuesit – edhe pse “dekada me vonesë” – mund të ndërtojnë një çështje penale të re.
“Çdo person duhet të merret në pyetje. Çdo pistë duhet ndjekur,” u shpreh ai, duke shtuar se është e mundur që persona me ndikim të kenë qenë të përfshirë ose të paktën në dijeni të asaj që ndodhte.


Një rast që kërkon reformë
Balderas e cilëson çështjen Epstein si një nga rastet më të rënda të trafikut njerëzor që ka prekur nivelet më të larta të pushtetit dhe thekson se ajo duhet të shërbejë si studim për gabimet e bëra nga sistemi.
“Ky është një rast që duhet analizuar për gabimet e shumta që janë bërë,” tha ai, duke shtuar se nevojiten reforma në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.
Ndërsa hetimet e reja pritet të vijojnë, pyetja që mbetet është nëse vonesa shumëvjeçare ka zhdukur përgjithmonë prova kyçe – apo nëse Zorro Ranch do të hapë një kapitull të ri në një nga skandalet më të errëta të elitës globale.
(Burimi: The Sun)






