Autizmi nuk është një çrregullim që prek kryesisht meshkujt, siç është besuar prej vitesh. Një studim i Institutit Karolinska në Stokholm, i publikuar në British Medical Journal, tregon se femrat preken pothuajse në të njëjtën masë si meshkujt, por diagnoza tek ato vendoset më vonë.
Sipas studiuesve, perceptimi i dominimit mashkullor lidhet me faktin se djemtë diagnostikohen zakonisht në fëmijëri, ndërsa vajzat shpesh identifikohen gjatë adoleshencës ose edhe më vonë. Kjo vonesë krijon një tablo të shtrembëruar kur analizohen vetëm diagnozat e hershme.
Hulumtimi u bazua në regjistrat kombëtarë suedezë dhe përfshiu rreth 2.7 milionë persona të lindur mes viteve 1985 dhe 2022, të ndjekur deri në moshën 37 vjeç. Nga ta, 78,522 individë – ose 2.8% – u diagnostikuan me autizëm, me një moshë mesatare diagnoze 14.3 vjeç.
Rezultatet treguan se rastet rriten gradualisht me moshën. Kulmi u arrit tek djemtë 10–14 vjeç me 645.5 raste për 100 mijë individë, ndërsa tek vajzat kulmi u regjistrua në moshën 15–19 vjeç me 602.6 raste.
Në përfundim, raporti meshkuj-femra, që në fëmijëri duket rreth 4 me 1, afrohet në një balancë pothuajse të barabartë – rreth 1 me 1 – deri në moshën 20 vjeç.
Autorët theksojnë se gjetjet nxjerrin në pah nevojën për të kuptuar arsyet pse vajzat diagnostikohen më vonë, duke sugjeruar se përmirësimi i metodave të identifikimit mund të ndihmojë në ndërhyrje më të hershme dhe mbështetje më efektive.






