Një grua është therur me thikë në një stacion treni në Çikago, vetëm disa muaj pasi një refugjate ukrainase humbi jetën në një sulm të ngjashëm në SHBA.
Sipas policisë së Çikagos, ngjarja ndodhi rreth orës 23:14 të së shtunës në stacionin UIC-Halsted të linjës CTA Blue Line, në lagjen Near West Side. I dyshuari, ende i paidentifikuar, iu afrua viktimës ndërsa ajo ishte ulur në një stol, nxori një thikë nga çanta e shpinës dhe e goditi në gjoks.
Pas sulmit, burri u largua në këmbë në drejtim të veriut, përgjatë South Morgan Street. Pamjet e kamerave të sigurisë e kanë kapur duke mbajtur ende thikën e përgjakur në dorën e djathtë.
Policia e përshkroi të dyshuarin si një mashkull afrikano-amerikan, rreth 1.80 metra i gjatë dhe me peshë ndërmjet 160-180 paundësh. Ai kishte veshur një kapuç rozë të ndezur, xhaketë gri me kapuç, bluzë portokalli, xhinse blu të çelëta dhe atlete të bardha, si dhe mbante një çantë shpine gri.
Viktima, një grua 27-vjeçare, u dërgua në një spital lokal me një plagë të lehtë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ky incident vjen pas një rasti të ngjashëm që tronditi opinionin publik vetëm disa muaj më parë, kur refugjatja ukrainase Iryna Zarutska, 23 vjeç, u vra në një tren në Karolinën e Veriut. Ajo u godit me thikë në qafë nga Decarlos Brown Jr, 34 vjeç, teksa kthehej në shtëpi pas punës në një piceri lokale.
Policia e Çikagos u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë informacion për autorin e sulmit të kontaktojnë detektivët.
(Burime: Daily Mail, Fox News)






