Agjencia Qendrore e Inteligjencës e SHBA-së (CIA), ka kryer javën e kaluar një sulm me dron brenda territorit të Venezuelës, operacioni i parë i njohur amerikan në tokën venezueliane që prej nisjes së fushatës së presionit të administratës së presidentit Donald Trump kundër qeverisë së Nicolás Maduro.
Presidenti Trump e përmendi sulmin dy herë ditët e fundit, pa bërë të ditur se pas operacionit qëndronte CIA. Sipas zyrtarëve amerikanë, objektivi ishte një mol që dyshohej se përdorej nga grupi kriminal Tren de Aragua për magazinimin e lëndëve narkotike dhe përgatitjen e tyre për t’u ngarkuar në anije.
“Pati një shpërthim të madh në zonën e molit ku ngarkohen anijet me drogë,” deklaroi Trump të hënën nga rezidenca e tij në Florida. “Ne goditëm anijet dhe zonën ku bëhej përgatitja. Ajo zonë nuk ekziston më.”
Sulmi u bë publik vetëm pasi Trump e përmendi në një intervistë radiofonike të premten, duke thënë se kishte ndodhur dy ditë më parë dhe se SHBA-ja kishte shkatërruar “një strukturë të madhe”. Qeveria venezueliane nuk ka reaguar drejtpërdrejt, por ministri i Brendshëm Diosdado Cabello denoncoi atë që e quajti “çmenduri imperialiste” dhe një varg kërcënimesh e sulmesh ndaj vendit.
Ky operacion shënon goditjen e parë tokësore të njohur të SHBA-së në Venezuelë. Prej javësh, Trump kishte paralajmëruar zgjerimin e fushatës së presionit edhe me sulme në territor, por deri tani veprimet amerikane ishin kufizuar kryesisht në ujërat ndërkombëtare.
Sipas burimeve zyrtare, Trump kishte autorizuar më herët veprime të fshehta dhe i kishte kërkuar CIA-s të përgatiste plane për një sërë misionesh në Venezuelë. Edhe pse vitet e fundit sulmet me dron janë kryer kryesisht nga ushtria amerikane, CIA ka një histori të gjatë të përdorimit të tyre në vende si Pakistani, Jemeni dhe Somalia gjatë administratave Bush dhe Obama. Nuk dihet ende nëse droni i përdorur ishte në pronësi të CIA-s apo i huazuar nga ushtria. Pentagoni ka refuzuar të komentojë, por dihet se disa dronë MQ-9 Reaper, të armatosur me raketa Hellfire, janë vendosur në baza në Puerto Rico.
Sulmi shihet si pjesë e një fushate më të gjerë presioni ndaj regjimit të Maduros, pas muajsh rritjeje të pranisë ushtarake amerikane në Karaibe. Ajo që nisi si një operacion kundër trafikut të drogës, po shndërrohet në një strategji më të gjerë për të dobësuar qeverinë venezueliane dhe për të siguruar akses në rezervat e mëdha të naftës së vendit.
Deri tani, SHBA-ja ka goditur anije që dyshon se përdoren për trafik droge dhe ka sekuestruar ҫisterna nafte, kryesisht në ujëra ndërkombëtare. Megjithatë, shumë ekspertë ligjorë i kanë cilësuar këto veprime si të paligjshme. Administrata ka sinjalizuar se do të vazhdojë goditjet ndaj trafikut të ҫisternave, pasi Trump urdhëroi një “bllokadë të plotë” ndaj ҫisternave të sanksionuara që hyjnë ose dalin nga Venezuela.
“Venezuela është e rrethuar plotësisht nga armata më e madhe e mbledhur ndonjëherë në historinë e Amerikës së Jugut,” shkroi Trump në rrjetet sociale këtë muaj, duke paralajmëruar se presioni do të rritet më tej.
Hapat e ardhshëm mbeten të paqartë. Trump dhe këshilltarët e tij e kanë bërë të qartë se nuk e shohin Maduron si lider legjitim dhe synojnë të rrisin presionin, por presidenti venezuelian nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të largohet vullnetarisht nga pushteti.
Një sfidë e madhe për Uashingtonin është edhe kostoja e mbajtjes së një pranie kaq të madhe ushtarake në rajon. Aeroplanmbajtësja Gerald R. Ford u ridrejtua drejt Karaibeve në tetor, dhe zgjatja e misionit të saj do të vononte mirëmbajtjen e domosdoshme, duke rënduar edhe më tej ekuipazhin që po hyn në muajin e shtatë në det. Paralelisht, prania e një grupi tjetër goditës të ndërtuar rreth anijes amfibe Iwo Jima përbën një përqendrim të jashtëzakonshëm force detare për një mision që fillimisht ishte kundër trafikut të drogës.
Ndërkohë, administrata amerikane ka folur shumë pak për skenarin e mundshëm pas largimit të Maduros, duke lënë të hapur pyetjen se çfarë do të ndodhë më pas në një Venezuelë tashmë të zhytur në krizë politike dhe ekonomike.
(Burimi: The New York Times)






