Britania e Madhe po përballet me atë që mjekët e quajnë “supergripi”, një shpërthim i paparë që ka vënë në alarm të gjitha shërbimet shëndetësore, ka trefishuar shtrimet në spital në Londër dhe ka detyruar mbylljen e disa shkollave. Shërbimi Kombëtar i Shëndetit (NHS) ka lëshuar një thirrje urgjente për vaksinim, duke paralajmëruar se situata po përshkallëzohet me ritmin më të shpejtë të dekadës.
Vetëm javën e fundit, Londra ka regjistruar mesatarisht 259 shtretër të zënë çdo ditë nga të sëmurët me grip — krahasuar me 89 shtretër në të njëjtën periudhë një vit më parë. Edhe shifrat e ambulancave janë rritur ndjeshëm: 16,500 thirrje në vetëm një javë, një nivel shumë më i lartë se statistikat e vitit 2024.
NHS i ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin vaksinën kundër gripit “sa më shpejt që të jetë e mundur”, duke theksuar se periudha para festave të fundvitit është vendimtare për frenimin e përhapjes. Ndërkohë, shkollat në disa zona kanë mbyllur dyert për shkak të shpërthimeve të gripit që kanë gjunjëzuar paralelisht nxënës dhe staf pedagogjik. Drejtorët e shkollave e përshkruajnë situatën si “rikthim në kohën e Covid-it”.
Në Uells, shkolla St Martin në Caerphilly u mbyll plotësisht pasi më shumë se 250 nxënës dhe mësues u sëmurën. Simptomat variojnë nga temperaturë e lartë, të vjella dhe diarre, deri te kollë, lodhje ekstreme dhe dhimbje koke — me një periudhë mesatare shërimi prej rreth një jave. Stafi pranoi se “pjesëmarrja gjatë javës së fundit ka qenë më e ulëta që nga ditët e errëta të pandemisë”.
Shërbimet spitalore janë nën presion të jashtëzakonshëm. Spitali Royal Stoke dhe Spitali i Qarkut Stafford u kanë kërkuar qytetarëve të paraqiten në urgjencë vetëm në raste të rrezikut për jetën, ndërsa NHS në Ayrshire dhe Arran ka anuluar të gjitha vizitat rutinë për shkak të rritjes masive të infeksioneve të frymëmarrjes.
Ekspertët e gripit, si profesorja Nicola Lewis nga Instituti Francis Crick, paralajmërojnë se varianti aktual H3 është “më agresiv dhe më i fortë se zakonisht”, me ndikim të gjerë në popullatë. Për këtë arsye, Agjencia e Sigurisë Shëndetësore të Britanisë ka rikthyer rekomandimet për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura dhe të mbipopulluara — jo detyrim, por një këshillë e fortë për të parandaluar përhapjen.
Disa spitale në Londër, Shropshire, Oxfordshire dhe Lincolnshire tashmë kanë rikthyer rregullin e detyrueshëm të maskave, ndërsa parashikimet tregojnë se deri në fund të javës numri i shtretërve të zënë nga gripi mund të arrijë 8,000, duke thyer çdo rekord historik.
Çfarë do të thotë “supergripi” për vendin tonë?
Edhe pse Shqipëria nuk ka raportuar nivele alarmante si Britania, ekspertët po monitorojnë me vëmendje variantin H3 që po qarkullon në Europë. Ata paralajmërojnё se rritja e rasteve në vendet fqinje mund të sjellë valë infeksionesh edhe tek ne brenda javëve të ardhshme, sidomos me afrimin e festave dhe rritjen e lëvizjeve.
Mjekët këshillojnë vaksinimin e grupeve të riskut, kujdes me simptomat gripale dhe përdorimin e maskave në ambiente të mbipopulluara, veçanërisht për të mbrojtur të moshuarit dhe fëmijët.






