Me këngën “Gloria” të Laura Branigan që kumbonte në sallë dhe me kapele të kuqe “USA” të shpërndara për pjesëmarrësit, takimi i parë i Bordit të Paqes të Presidentit Donald Trump kishte atmosferën e një tubimi tipik të tij politik. Por këtë herë, skena ishte menduar të shënonte një moment me pretendime të mëdha në qeverisjen globale: nisjen zyrtare të një strukture që synon rindërtimin dhe riformësimin e Gazës pas viteve të luftës.
Në fjalimin e tij të gjatë, Trump njoftoi se nëntë vende kishin premtuar mbi 7 miliardë dollarë ndihmë për Gazën, ndërsa disa shtete do të angazhonin trupa në kuadër të një Force Ndërkombëtare Stabilizimi. Ai shtoi se SHBA-të do të kontribuonin me 10 miliardë dollarë në bord, të cilin do ta drejtojë për një kohë të pacaktuar. Një anëtar miliarder i komitetit ekzekutiv foli për potencialin e zhvillimit të enklavës, ndërsa u prezantua edhe një video promovuese – e përshkruar si e gjeneruar nga inteligjenca artificiale – që paraqiste një “ekosistem të plotë futbolli” në një Gaza që sot është kryesisht në rrënoja.
Megjithatë, përtej retorikës dhe premtimeve, mbeten pikëpyetje të mëdha mbi zbatueshmërinë e planit. Armëpushimi i ndërmjetësuar nga Trump ka pësuar shkelje të përsëritura, situata humanitare në Gaza mbetet e brishtë dhe çështja kyçe e demilitarizimit të Hamasit nuk është zgjidhur. Kjo ngre dyshime serioze mbi kohën dhe kushtet reale për nisjen e rindërtimit dhe vendosjen e trupave.
Trump, i cili ka kërkuar të projektojë imazhin e paqebërësit, bëri pak për të qetësuar shqetësimet se Bordi i Paqes mund të funksionojë si një alternativë ndaj Kombeve të Bashkuara. “Bordi i Paqes do të mbikëqyrë pothuajse OKB-në dhe do të sigurohet që ajo të funksionojë siç duhet”, tha ai, duke shtuar se organizata ka “potencial të jashtëzakonshëm”. Ai la të hapur mundësinë që bordi të zgjerojë rolin e tij edhe në “vatra të nxehta” të tjera globale, në një moment kur administrata e tij po shqyrton edhe veprime ushtarake ndaj Iranit.
Megjithëse rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që i dha mandat Bordit të Paqes i referohet posaçërisht Gazës, statuti themelues i grupit pretendon autoritet për t’u marrë me çdo konflikt. Në takim morën pjesë përfaqësues nga rreth 48 vende, por vetëm gjysma janë anëtarë të bordit; pjesa tjetër, kryesisht shtetet evropiane, ishin të pranishёm si vëzhgues. Një diplomat i lartë i BE-së deklaroi në Bruksel se “ka probleme me Bordin e Paqes”, por pranoi se aktualisht mungon një mekanizëm alternativ për të formësuar të ardhmen e Gazës.
Disa aleatë tradicionalë të SHBA-së kanë refuzuar anëtarësimin për shkak të shqetësimeve mbi misionin e gjerë dhe përbërjen e bordit. Trump tha se do të donte që Rusia dhe Kina t’i bashkoheshin nismës. Aaron David Miller, ish-negociator amerikan për Lindjen e Mesme, e cilësoi takimin si të shkëputur nga realiteti, duke theksuar se plani për demilitarizimin “nuk është gati”.
Sipas burimeve për CNN, ekziston mirëkuptim mes zyrtarëve amerikanë dhe aleatëve rajonalë se demilitarizimi do të jetë proces afatgjatë. Një qeveri teknokratike palestineze pritet të lehtësojë bisedimet me Hamasin, por nuk ka afat të qartë. Në deklaratën e saj të fundit, Hamasi nuk përmendi çarmatimin, por i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të detyrojë Izraelin të hapë plotësisht kalimet dhe të nisë rindërtimin.
Trump deklaroi se Maroku, Shqipëria, Kosova dhe Kazakistani kanë angazhuar trupa dhe policë për stabilizimin e Gazës, ndërsa Egjipti dhe Jordania do të ofrojnë trajnime dhe mbështetje për një forcë policore palestineze. Sipas Ali Shaath, kryetar i Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës, synohet trajnimi dhe vendosja e 5,000 policëve brenda 60 ditësh. Por komiteti aktualisht ndodhet në Kajro dhe nuk ka mundur të hyjë në Gaza, duke pasur pushtet të kufizuar për zbatimin e vendimeve.
Përfaqësuesi i Lartë Nickolay Mladenov theksoi se rindërtimi nuk mund të nisë pa demilitarizim të plotë dhe çmontim të armëve. Ndërkohë, Trump tha se Bahreini, Katari, Arabia Saudite, Uzbekistani dhe Kuvajti kanë premtuar mbi 7 miliardë dollarë, pa dhënë detaje mbi mekanizmat dhe afatet e investimit. Edhe për kontributin prej 10 miliardë dollarësh të SHBA-së mungojnë sqarime të plota, përveç faktit se do të shpërndahet gjatë viteve të ardhshme.
Miller paralajmëroi se “paratë nuk vlejnë nëse nuk mund t’i shpenzosh”, duke vënë në dukje se qeveria izraelite mund të kufizojë ndërtimet në zonat që nuk kontrollon ose të kërkojë inspektim të rreptë të çdo materiali. Sulmet e vazhdueshme ushtarake përbëjnë një tjetër pengesë madhore. “Nuk e kuptoj se si mund ta shndërrosh atë që pashë sot në një realitet që do ta bënte Gazën të plotë, të sigurt dhe të begatë”, tha ai.
Takimi i parë i Bordit të Paqes u shoqërua me shifra të mëdha dhe retorikë ambicioze. Por ndërsa Gaza mbetet e shkatërruar dhe konfliktet themelore të pazgjidhura, mbetet për t’u parë nëse kjo nismë do të kthehet në realitet konkret apo do të mbetet një projekt me premtime që sfidohen nga terreni.
(Burimi: CNN)






