Vitin e ardhshëm, telefonat inteligjentë ka shumë gjasa të kushtojnë më shumë, por këtë herë arsyeja nuk është kamera më e mirë, ekrani më i madh apo procesori më i shpejtë. Fajtori është diçka shumë më e thjeshtë: memoria. Një komponent rutinë, zakonisht i padukshëm për përdoruesit, po kthehet në shkakun kryesor të rritjes së çmimeve.
Ndërsa bota po përjeton një shpërthim të paprecedent të inteligjencës artificiale, gjigantët e teknologjisë si Meta, Google dhe Microsoft kanë nisur një garë për të ndërtuar qendra të të dhënave gjithnjë e më të mëdha. Këto qendra përthithin sasi të jashtëzakonshme tё memories, shumë më tepër sesa kanë nevojë telefonat inteligjentë. Prodhuesit e mëdhenj të memories, si Samsung dhe Micron, po zhvendosin fokusin e tyre pikërisht drejt këtij tregu fitimprurës, duke lënë më pak furnizime për pajisjet e përditshme që përdorim të gjithë. Kjo mungesë, natyrisht, po reflektohet te çmimet.
Sipas analizave të Counterpoint Research, çmimet e memories pritet të rriten me 30% në fund të vitit 2025, e më pas me një tjetër valë rritjeje në fillim të vitit 2026. Kur memoria bëhet më e shtrenjtë, të gjitha pajisjet që e përdorin – nga telefonat e thjeshtë Android te tabletët dhe orët inteligjente – preken automatikisht.
Industria tashmë ka filluar të ndjejë efektet. Prodhuesit po përballen me dilema serioze: të rrisin çmimet apo të shtyjnë lançimet e modeleve më të lira për t’u fokusuar te modelet premium, ku fitimi është më i sigurt. Disa analistë thonë se telefonat më të prekur do të jenë ata ekonomikët, sidomos modelet e lira Android, të cilat tradicionalisht funksionojnë me marzhe shumë të ulëta. Nëse çmimet e memories rriten, prodhuesit nuk kanë shumë hapsirë për të absorbuar koston – për pasojë, telefoni përfundon duke u shtrenjtuar.
Parashikimet tregojnë se çmimi mesatar global i një telefoni inteligjent do të arrijë në 465 dollarë në vitin 2026, niveli më i lartë ndonjëherë. Dhe ndërkohë që konsumatorët mund të ndihen të zhgënjyer, tregu i telefonave do të vazhdojë të rritet, duke kapur gati 579 miliardë dollarë në vlerë.
Ekspertët pranojnë se industria e gjysmëpërçuesve është mësuar me cikle mungese dhe tepricash, por askush nuk e kishte parashikuar shpejtësinë e bumit të inteligjencës artificiale. Në një moment, telefonat inteligjentë ishin prioriteti kryesor i prodhuesve të memories; sot, ato janë vetëm një pjesë e vogël krahasuar me oreksin e pangopur të qendrave të të dhënave.
Për konsumatorët kjo do të thotë një gjë të thjeshtë: nëse planifikoni të blini telefon të ri, përgatituni tё kurseni mё shumё.
(Burimi: CNN)






