Dy pjesëtarë të Gardës Kombëtare të shtetit West Virginia u vranë të mërkurën pasdite pas të shtënave me armë, vetëm pak blloqe larg Shtëpisë së Bardhë, në një prej zonave më të frekuentuara të qendrës së kryeqytetit amerikan. Ngjarja tronditi qytetin dhe shkaktoi një përgjigje masive të forcave të sigurisë, ndërsa hetimet për rrethanat dhe motivet e sulmit vijojnë intensivisht.
Sipas autoriteteve, të shtënat u dëgjuan rreth orës 14:15 me orën lokale, pranë kryqëzimit të rrugëve 17th dhe I Street NW, afër hyrjes së një hoteli dhe stacionit të metrosë “Farragut West”. Dëshmitarë në vendngjarje thanë se njerëzit filluan të vraponin të frikësuar menjëherë pas pesë të shtënave të njëpasnjëshme. Menjёherё vendngjarja u mbush me dhjetra ambulanca, automjete policie dhe zjarrfikës, ndërsa zona u rrethua plotësisht brenda pak minutash.
Guvernatori i West Virginia-s, Patrick Morrisey, konfirmoi se dy viktimat ishin anëtarë të Gardës Kombëtare të atij shteti, pjesë e trupave të dislokuara në Washington në kuadër të një urdhri të dhënë në gusht nga presidenti Donald Trump. “Këta burra të guximshëm humbën jetën në shërbim të vendit. Ne i nderojmë ata dhe jemi pranë familjeve të tyre në këtë ditë të errët,” deklaroi Morrisey.
Autoritetet njoftuan se një i dyshuar është arrestuar dhe aktualisht ndodhet nën kujdes mjekësor, pasi edhe ai u plagos rëndë. Sipas burimeve të sigurisë, dy viktimat dhe autori u dërguan në spitale tё ndryshme të qytetit. Motivi i sulmit ende nuk është bërë i ditur dhe zyrtarët thanë se është shumë herët për të folur për një akt të natyrës terroriste.
Menjëherë pas të shtënave, Shtëpia e Bardhë u fut përkohësisht në gjendjen e sigurisë ‘condition red’, që nënkupton kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën, përpara se niveli të ulej në ‘condition orange’ pasi situata u vu nën kontroll. Presidenti Trump ndodhej në Palm Beach të Floridës për pushimet e Ditёs sё Falënderimeve dhe nuk ishte në territorin e Uashingtonit në momentin e incidentit. Ai reagoi në rrjetet sociale duke e quajtur autorin “një kafshë” dhe duke thënë se “do të paguajë një çmim shumë të rëndë”.
Ngjarja vjen në një moment tensioni të shtuar lidhur me vendosjen e më shumë se 2.000 trupave të Gardës Kombëtare në rrugët dhe metronë e Washingtonit, dislokim që ka ngjallur polemika të ashpra politike dhe juridike. Vetëm një javë më parë një gjykatë federale urdhëroi pezullimin e përkohshëm të misionit, duke vlerësuar se ka gjasa të ishte i paligjshëm, por shumë njësi mbetën ende në detyrë për shkak të procesit të apelimit.
Në vendin e ngjarjes mbizotëronte tension. Policia e armatosur rëndë urdhëroi kalimtarët të hynin brenda ndërtesave, qindra persona mbetën të bllokuar, ndërsa zona përreth u izolua. Në të njëjtën kohë, Autoriteti i Aeroporteve të Washingtonit pezulloi pёrkohёsisht fluturimet në Reagan National Airport.
Hetimet janë duke u zhvilluar me pjesëmarrjen e FBI-së dhe agjencive të tjera federale të sigurisë, ndërsa pritet që autoritetet të publikojnë më shumë detaje. Ndërkohë, flamujt janë ulur në gjysmë-shtizë në West Virginia dhe mesazhet e ngushëllimit po përhapen në mbarë vendin, një ditë para festës kombëtare të Falënderimeve.
(Pёrshtatur nga The New York Times)






