Të paktën tetë skiatorë kanë humbur jetën pas tre ortekëve të fuqishëm që goditën rajone malore të Austrisë gjatë së shtunës, në një nga ditët më të rënda të këtij sezoni dimëror.
Rasti i parë u regjistrua në zonën Bad Hofgastein, në perëndim të vendit, ku një skiatorе u varros nga masa e dëborës në një lartësi rreth 2,200 metra. Ekipet e shpëtimit mbërritën menjëherë në vendngjarje, por nuk arritën ta shpëtonin.
Rreth një orë e gjysmë më vonë, një tjetër ortek goditi Luginën Gastein, pranë Salzburgut, duke marrë me vete shtatë persona. Katër prej tyre humbën jetën, dy mbetën të plagosur rëndë, ndërsa një person arriti të shpëtojë pa lëndime.
Një incident i tretë ndodhi në Pusterwald, në qendër të Austrisë, ku tre skiatorë çekë u vranë nga një tjetër ortek. Katër persona të tjerë nga grupi u evakuuan të sigurt.
Autoritetet austriake të shpëtimit malor kanë paralajmëruar se rreziku i ortekëve është aktualisht shumë i lartë, pavarësisht njoftimeve të vazhdueshme për kushtet e rrezikshme.
“Kjo tragjedi tregon sa serioze është situata aktuale me ortekët, pavarësisht paralajmërimeve të qarta dhe të përsëritura,” deklaroi Gerhard Kremser, drejtues i shërbimit të shpëtimit malor në Pongau.
Ekipet e emergjencës vijojnë monitorimin e zonave alpine, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje turistëve dhe sportistëve të shmangin zonat jashtë pistave të sigurta.
(Burimi: CNN)






