Mungesa e “fitilit” të shtetit apo tolerancë bujare ndaj paligjshmërisë?
Përgjatë vitit 2022 e më pas, disa kompani të njohura ndërtimi shkelën lejet e ndërtimit në formën më spektakolare, jo vetëm duke shtuar kate pa leje mbi pallate shumëkatëshe, por edhe duke ndërtuar pallate të tëra mbi truall pa asnjë letër leje ndërtimore. Shembujt e pallatit pranë Liqenit Artificial, pallatit pranë Gjykatës Civile të Tiranës dhe 4 kateve pa leje në qendrën pranë Sheshit Skënderbej, janë më të njohurit për këtë “masakër” të lejuar ndërtimore.
“Leja” shtetërore që morën ndërtuesit në atë kohë, ishte “karta e bardhë” që i lejoi ata të vazhdonin punën të pashqetësuar, deri kur qeveria miratoi një vendim të debatueshëm për t’i konfiskuar shtesat që i kishin shpëtuar vigjilencës së inspektorëve të IMT-së, IKMT-së, madje dhe të strukturave informuese policore.
Shtegu i kompromisit
Jo me tritol, por me një manovër ligjore, qeveria u mundësoi ndërtuesve të mëdhenj një legalizim të kateve shtesë të paligjshme, fillimisht duke i konfiskuar dhe më vonë duke ia shitur po atyre ato. Pra, vetë shkelësve të ligjit.
Megjithëse qeveria parashikoi që pallatet dhe katet pa leje të ekuivalentoheshin me një pagesë me çmim tregu, ato u vlerësuan rreth 223 euro për metër katror. “Shkelësit” e mëdhenj u favorizuan, megjithëse kryeministri Rama në atë kohë deklaroi në media se: “Për çdo metër katror të bërë pa leje, aty ku është konsideruar parablerja nga subjektet, subjektet po paguajnë dhe do paguajnë deri në fund sa frëngu pulën çdo metër katror që kanë bërë pa leje.”
Hetime komplekse u zhvilluan për ndërtuesit apo “shkelësit” që nuk dolën asnjëherë para gjykatës. Sistemi i drejtësisë nuk i preku.
Prokuroria e Tiranës, në vitin 2022 nisi hetimet për pallatet e ndërtuara pa leje. Disa çështje hetimore (5) filluan dhe nuk u dihet përfundimi as sot. Nuk dihet nëse prokurorët arritën të hetojnë, akuzojnë dhe ta mbrojnë akuzën në gjyq kundër shkelësve “peco-grosë” të ligjit.
Ajo çka dihet është se, zhurma e tritolit qeveritar kundër ndërtimeve “pa leje” u dëgjua pas 3 viteve kompromis me paligjshmërinë, që nga Thethi deri në Farkë. Ndërtuesit që dje ishin shkelësit e mëdhenj, sot të rritur shumë më tepër se më parë, gëzojnë respektin e qeverisë që vazhdon t’i pajisë me leje ndërtimi në të gjitha zonat e preferuara të Tiranës apo më në jug të Shqipërisë, bregdet.
Zhurmat luftarake si në Gaza u dëgjuan këtë vit, si në Shkodër, Tiranë apo Vlorë. Por më fort se sa ato, njerëzit e thjeshtë në Shqipëri dëgjuan heshtjen e pushtetit ekzekutiv dhe atij të drejtësisë, të dy bashkë të pafuqishëm të “hedhin në erë” pushtetin e paligjshmërisë.






