Ish-kryeministri britanik Tony Blair ka kritikuar publikisht kryeministrin aktual Keir Starmer për mënyrën se si Londra reagoi ndaj ofensivës së SHBA-së kundër Iranit, duke thënë se Britania duhet ta kishte mbështetur aleatin e saj amerikan që në fillim të konfliktit.
Blair i bëri komentet gjatë një aktiviteti të organizuar nga Jewish News, në një moment kur tensionet diplomatike mes Londrës dhe Uashingtonit janë rritur për shkak të qëndrimit fillestar të qeverisë britanike ndaj operacioneve ushtarake amerikane.
“Ne duhet ta kishim mbështetur Amerikën që nga fillimi,” tha Blair, duke theksuar rëndësinë e aleancës mes dy vendeve. “Ne mbështetemi tek aleanca amerikane për sigurinë tonë. Ata nuk janë thjesht një aleat, janë një aleat i domosdoshëm.”
Ndërhyrja e ish-liderit laburist vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump e kritikoi publikisht Starmerin, duke thënë se ai nuk është “Winston Churchill”, pasi fillimisht refuzoi të lejonte përdorimin e bazave britanike për sulmet ndaj Iranit.
Në fillim të konfliktit, Starmer nuk pranoi t’i jepte SHBA-së lejen për të nisur operacione nga territori britanik, përfshirë bazën strategjike Diego Garcia në Oqeanin Indian. Më vonë ai e zbuti qëndrimin, duke lejuar përdorimin e bazave ajrore britanike për misione që qeveria i përshkroi si “qëllime specifike dhe të kufizuara mbrojtëse”.
Megjithatë, Trump tha se ishte “shumë i zhgënjyer” nga reagimi i Londrës.
Kritikat e Blair ndaj Starmer pritet të shkaktojnë debat brenda Partisë Laburiste, e cila ende përballet me kujtimin e vendimit të tij për të mbështetur pushtimin amerikan të Irakut në vitin 2003, një luftë e nisur mbi pretendimet se Saddam Hussein posedonte armë të shkatërrimit në masë – pretendime që më vonë rezultuan të pabazuara.
Starmer e kishte justifikuar refuzimin e tij fillestar duke thënë se nuk beson në “ndryshimin e regjimeve nga qielli”, duke iu referuar bombardimeve ajrore si instrument për të rrëzuar qeveri.
Vendimi i tij u ndikua gjithashtu nga kundërshtimi brenda kabinetit. Sipas raportimeve, një grup ministrash të udhëhequr nga sekretari i energjisë Ed Miliband ushtruan presion që Britania të mos mbështeste menjëherë operacionet ushtarake amerikane.
Ndërkohë, katër bombardues amerikanë B-1 Lancer mbërritën në bazën ajrore RAF Fairford në Gloucestershire këtë fundjavë. Secili prej tyre është i aftë të mbajë deri në 24 raketa kruiz.
Pas zhvillimeve të fundit, Starmer autorizoi SHBA-në të përdorë bazat ajrore britanike për të goditur vendet e lëshimit të raketave iraniane, duke argumentuar se ky veprim mbron interesat britanike dhe aleatët në Gjirin Persik.
Blair këmbënguli se aleancat strategjike testohen pikërisht në momentet e vështira.
“Çdo aleancë nuk testohet kur gjërat janë të lehta, por kur situata bëhet e vështirë,” tha ai. “Nëse Amerika është aleati juaj dhe një gur themeli i domosdoshëm për sigurinë tuaj, atëherë duhet të jeni aty.”
Ai gjithashtu hodhi poshtë pretendimet se një mbështetje e fortë për SHBA-në do të përçante Partinë Laburiste.
“Sipas meje, në politikën e jashtme njerëzit preferojnë që një udhëheqës të jetë i fortë, i hapur dhe i qartë, edhe nëse nuk janë plotësisht dakord me të,” përfundoi Blair.
(Burimi: Daily Mail)






