Një aksident i rëndë ajror ka tronditur Shtetet e Bashkuara, duke i marrë jetën shtatë personave, mes tyre edhe ish-piloti i njohur i NASCAR, Greg Biffle, së bashku me familjen e tij. Ngjarja ndodhi gjatë uljes së një avioni të vogël në Aeroportin Rajonal të Statesville, në Karolinën e Veriut.
Sipas autoriteteve, avioni i tipit Cessna C550 u rrëzua rreth orës 10:20 të mëngjesit sipas kohës lokale, vetëm pak minuta pasi ishte ngritur në fluturim. Dëshmitarë në terren konfirmuan se Greg Biffle ndodhej në bord, informacion që më pas u konfirmua edhe nga organizata NASCAR.
Në një deklaratë zyrtare, NASCAR bëri të ditur se Biffle humbi jetën së bashku me bashkëshorten, vajzën, djalin dhe tre persona të tjerë. “Greg ishte më shumë sesa një pilot kampion. Ai ishte një anëtar i dashur i komunitetit tonë, një konkurrent i fortë dhe një mik për shumë njerëz,” thuhej në reagimin e organizatës. “Pasioni, integriteti dhe përkushtimi i tij ndaj sportit dhe tifozëve lanë një gjurmë të pashlyeshme.”
Përtej suksesit në pistat e garave, Biffle ishte i njohur edhe për angazhimin e tij humanitar. Pas uraganit Helene që goditi Karolinën e Veriut vitin e kaluar, ai përdori helikopterin e tij personal për të ndihmuar në shpëtimin e banorëve të bllokuar dhe për të shpërndarë furnizime emergjente në zonat e izoluara.
Drejtori i Aeroportit të Statesville, John Ferguson, deklaroi se avioni ishte një mjet ajror korporativ dhe se, kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, ai ishte përfshirë nga flakët. Sipas mediave amerikane, avioni ishte në pronësi të një kompanie private të lidhur me Biffle.
Avioni ishte ngritur në orën 10:06 dhe kishte qenë në ajër vetëm për pak minuta, përpara se të rrëzohej në skajin lindor të pistës. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi shkaqet e aksidentit.
Aeroporti Rajonal i Statesville do të qëndrojë i mbyllur deri në një njoftim të dytë, ndërsa ekipet po punojnë për pastrimin e pistës dhe mbledhjen e provave. Hetimin e plotë të ngjarjes e ka marrë në dorë Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB), i cili ka dërguar një ekip të posaçëm në vendngjarje.
Rrëzimi i avionit ka lënë pas dhimbje të madhe në botën e sportit dhe më gjerë, duke shuar jetën e një figure të njohur dhe familjes së tij në një tragjedi që ende mbetet e mbuluar nga pikëpyetje.
(Burimi: BBC)






