Panik, thirrje të dëshpëruara për ndihmë dhe dalje të bllokuara. Kështu u shndërrua brenda pak minutash Gul Plaza – një nga qendrat tregtare më të frekuentuara të Karaçit – në skenë tmerri, pasi një zjarr masiv përfshiu ndërtesën e mbushur plot me njerëz.
Bilanci i konfirmuar deri tani është 27 viktima, ndërsa më shumë se 70 persona rezultojnë ende të zhdukur. Ndërtesa vazhdoi të digjek pjesërisht pёr njё kohё tё gjatё dhe struktura e saj e dëmtuar rëndë e bëri pothuajse të pamundur hyrjen e ekipeve të shpëtimit për të kërkuar të mbijetuar ose për të nxjerrë trupat.
Me rreth 1,200 dyqane të shpërndara në bodrum, kat të ndërmjetëm dhe tre kate të tjera, Gul Plaza ishte një treg me shumicë i njohur për çmimet e lira dhe fluksin e madh të blerësve – veçanërisht para dasmave dhe festave. Veshje, lodra, dekorime, çarçafë dhe rroba për fëmijë mbushnin çdo cep të ndërtesës. Të shtunën në mbrëmje, ajo ishte plot.
Shkaku i zjarrit ende nuk dihet. Por dëshmitarët thonë se gjithçka u përhap me shpejtësi marramendëse, ndërsa daljet emergjente rezultuan të mbyllura dhe korridoret të ngushta, të mbipopulluara me njerëz dhe mallra.
Rehan Faisal, pronar i një dyqani çarçafësh, shpëtoi vetëm sepse ndodhej pranë një daljeje. Ai e theu derën për të dalë. “Askush nuk e mendonte se zjarri do të përhapej kaq shpejt,” tregoi ai. “Në pesë deri në shtatë minuta, gjithçka po digjej para syve tanë.”
Në fillim, tha ai, askush nuk u alarmua seriozisht. Zjarri dukej larg. Pastaj tymi pushtoi gjithçka. “Nuk shihnim më asgjë. Njerëzit vraponin në çdo drejtim. Provova një dalje – ishte e mbyllur. Turma ishte aq e dendur sa nuk mund të kaloja.”
Sipas policisë, nga 16 dalje që kishte qendra tregtare, vetëm tre ishin të hapura në momentin kritik. Shumica e portave ishin mbyllur, pasi objekti pritej të mbyllej së shpejti atë mbrëmje.
Ekipet e shpëtimit përballen tani me një tjetër rrezik: ndërtesa është aq e dëmtuar, sa mund të shembet në çdo moment. Shumë nga trupat e gjetur janë ende të paidentifikuar dhe do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore për të përcaktuar numrin e saktë të viktimave.
Ndërkohë, zemërimi në Karaçi po rritet. Qindra protestues u mblodhën pranë rrënojave duke kërkuar përgjegjësi. Kryetari i bashkisë mbërriti në vendngjarje vetëm pas gati 24 orësh dhe u prit me fishkëllima dhe thirrje zemërimi.
Familjarët e të zhdukurve thonë se ndihma erdhi shumë vonë. “Jetë të çmuara mund të ishin shpëtuar,” tha Muhammed Arif, nipi i të cilit ende nuk është gjetur.
Edhe dëshmitarët konfirmojnë se zjarrfikëset mbërritën me vonesë, ndërsa ambulancat kishin ardhur më herët, kur ende nuk kishte të plagosur për të transportuar.
Autoritetet kanë premtuar hetim për shkakun e zjarrit dhe për reagimin e vonuar të emergjencës. Ligjvënësit në parlament kanë kërkuar reforma të thella në sigurinë e ndërtesave dhe menaxhimin e krizave urbane.
Por për familjet që presin ende lajme mes tymit dhe rrënojave të Gul Plaza-s, këto premtime tingëllojnë bosh.
“Kjo është hera e tretë brenda pak kohësh që një ndërtesë digjet në këtë zonë,” tha Arif. “Sa njerëz të tjerë duhet të vdesin që dikush të marrë përgjegjësi?”
(Burimi: BBC / Reuters)






