“Mos e prek kalin se është i acaruar sot!”. Kjo ka qenë shprehja që, sipas policisë, ndezi debatet mes autorit dhe viktimës në Kalanë e Beratit, duke përfunduar në vrasje.
Autori i ngjarjes, 63-vjeçari Kristo Mema, një person që mbante kuaj me qira për turistët, është konfliktuar me Keli Hoxhën, turist që kishte shkuar në Kalanë e Beratit me familjen, pasi ky i fundit i kishte prekur kalin Kristos. Sipas dëshmisë së autorit në polici, ai i kishte thënë viktimës: “Mos e prek kalin se është i acaruar dhe nuk ndihet mirë”.
Por turisti Hoxha, sipas deklaratave të të arrestuarit Mema para togave blu, jo vetëm që e kishte shqetësuar kalin, por edhe e kishte sharë të zotin e tij. Madje pretendimi është se e ka ofenduar rëndë, dhe kështu, në gjaknxehtësi e sipër, ai ka nxjerrë thikën që e mbante fshehur në samarin e kalit dhe e ka goditur disa herë Keli Hoxhën në sy të familjes së tij, ku prezent ishte e shoqja me fëmijë.
Familjarët e viktimës kanë deklaruar në polici se konflikti nisi vetëm sepse Keli Hoxha kishte prekur kalin me dorë. Ata theksojnë se nuk kishte pasur as sharje, as ofendime për autorin, por vetëm një shprehje: “S’ka asgjë të keqe ta përkëdhelësh kalin”.
Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 15:30 në lagjen e quajtur “Kala e Beratit”. Viktima Keli Hoxha, 42 vjeç, banues në Tiranë dhe me origjinë nga Tropoja, ndërroi jetë sapo mbërriti në Spitalin Rajonal të Beratit, për shkak të plagëve të marra.
Autori Kristo Mema u kap disa orë më vonë, i fshehur në “Shpellën e Memecit”, pranë Kishës së Shën Mëhillit në Berat. Policia dyshon se autori ka qenë më parë i përfshirë në një tjetër ngjarje të rëndë, një vrasje të kryer në vitin 1993 në Berat, por me emër tjetër. Pas krimit 32 vite më parë, Kristo Mema ishte larguar në Greqi për rreth 25 vjet, ku kishte ndërruar edhe emrin. Për vrasjen e parë Kristo nuk vuajti asnjë ditë burg, se e kishte falur “Ligji”. Vepra ishte parashkruar pas 25 vitesh. U desh një vrasje tjetër që Kristo Mema të vizitojë dyert e burgut tani në moshën 63-vjeçare. Vrasja e pranuar besohet se do t’i kushtojë pjesën tjetër të jetës, deri në përfundim të saj.
Pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i krimit, ka çuar kalin në kasolle, ka marrë disa ushqime dhe është fshehur në një nga shpellat e kalasë për t’i shpëtuar policisë.






