Presidenti Donald Trump në një ekskluzive për CNN, deklaroi se Hamasi do të përballet me “zhdukje të plotë” nëse refuzon të heqë dorë nga pushteti dhe kontrolli i Gazës, duke refuzuar në këtë mënyrë planin e tij të armëpushimit.
“Zhdukje e plotë!” do të ndodhë për Hamasin, deklaroi Presidenti Trump për gazetarin e CNN, Jake Tapper, kur ky i fundit e pyeti se çfarë do të ndodhte nëse Hamasi këmbëngul dhe do të refuzojë planin e tij propozues për armëpushim.
Tapper e shtyu presidentin Trump edhe më shumë për përgjigjen ndaj Hamasit kur i përmendi planin e propozuar për armëpushim prej 20 pikash, duke cituar interpretimin e senatorit republikan Lindsey Graham se “Hamasi në fakt e kishte refuzuar planin e Trump”, duke këmbëngulur në “mosçarmatim, për të mbajtur Gazën nën kontrollin palestinez dhe duke e lidhur lirimin e pengjeve fort me negociatat“.
“A është gabim?” pyeti Tapper.
“Do ta zbulojmë. Vetëm koha do ta tregojë!!!” u përgjigj Trump për gazetarin e CNN.
Presidenti Trump tha se pret përgjigjen e Hamas “së shpejti” për të kuptuar nëse ata janë vërtet të përkushtuar ndaj paqes.
“Bibi është dakord”, tha Trump, kur u pyet nëse kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ishte dakord me përfundimin e fushatës së bombardimeve në Gaza dhe nëse mbështet vizionin e Trump për arritjen e paqes në Gaza.
Trump shtoi për gazetarin se shpreson që propozimi i tij për armëpushim të bëhet realitet sa më shpejt dhe theksoi se po punon shumë për ta jetësuar atë.
Më herët, të shtunën, presidenti Trump tha se Izraeli kishte rënë dakord me vijën fillestare të tërheqjes së IDF-së, të përcaktuar në planin e tij të armëpushimit.
Në një postim në mediat sociale, ai tha se administrata e tij tani po pret vetëm konfirmimin nga Hamasi.
Nëse Hamasi pranon, tha Trump, një armëpushim do të jetë “menjëherë efektiv” dhe do të fillojë një shkëmbim pengjesh dhe të burgosurish, ashtu si është parashikuar.
“Pas negociatave, Izraeli ka rënë dakord me vijën fillestare të tërheqjes, të cilën ia kemi treguar edhe Hamasit. Kur Hamasi ta konfirmojë, armëpushimi do të bëhet MENJËHERË efektiv dhe do të fillojë shkëmbimi i pengjeve dhe i të burgosurve, dhe ne do të krijojmë kushtet për fazën tjetër të tërheqjes, e cila do të na çojë afër fundit të kësaj KATASTROFE 3,000-VJEÇARE. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje dhe QËNDRONI TË INFORMUAR!” shkroi Trump në rrjetin e tij social, Truth Social.
Presidenti Trump deklaroi gjithashtu të shtunën se Izraeli kishte ndaluar përkohësisht sulmet ajrore në Gaza, duke e quajtur këtë një hap kritik drejt finalizimit të një marrëveshjeje armëpushimi, duke siguruar lirimin e pengjeve dhe duke e paralajmëruar Hamasin të vepronte shpejt.
Megjithatë, më herët gjatë së njëjtës ditë, nga CNN u raportua se të paktën 67 persona në Gaza u vranë për shkak të sulmeve izraelite. Kjo e dhënë, sipas zyrtarëve të spitalit palestinez në enklavë.
Ndërkohë, Presidenti Trump deklaroi një ditë më parë (të premten) se Hamasi i ishte përgjigjur pozitivisht propozimit të tij me 20 pika që synonte t’i jepte fund konfliktit. Këtë ai e bëri publike, duke folur në një video të postuar në rrjetin Truth Social. Trump e quajti të premten “një ditë të madhe” dhe i përshkroi zhvillimet si “të pashembullta”.






