Bisedimet e paqes mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po vijojnë deri në orët e vona në Islamabad, në një raund negociatash që konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm diplomatik. Takimet ballë për ballë, ku marrin pjesë edhe zyrtarë pakistanezë, shihen si një hap përpara falë nivelit të lartë të delegacioneve dhe autoritetit që ato kanë për të negociuar drejtpërdrejt.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, vetë fakti që përfaqësuesit e SHBA-sё dhe Iranit janë ulur në tryezë tregon një gatishmëri për dialog, pavarësisht tensioneve të forta që kanë karakterizuar javët e fundit.
Megjithatë, nga Shtёpia e Bardhё, presidenti amerikan Donald Trump ka dërguar një sinjal krejt të ndryshëm. Duke folur për mediat, ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara “fitojnë pavarësisht gjithçkaje” dhe se për të, arritja e një marrëveshjeje me Iranin “nuk ka rëndësi”.
Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar. Komanda Qendrore e SHBA-sё njoftoi se dy shkatërrues minash të marinës amerikane kanë kaluar nëpër Ngushticёn e Hormuzit, në kuadër të një operacioni për pastrimin e minave detare nga kjo rrugë jetike për transportin global të naftës dhe mallrave. Por kjo është kundërshtuar nga pala iraniane, me një zëdhënës ushtarak që e mohoi kategorikisht këtë pretendim, sipas agjencisë sё lajmeve Fars.
Paralelisht, tensionet vazhdojnë edhe në rajon. Izraeli ka intensifikuar sulmet ndaj objektivave të Hezbollah në Liban, ndërsa zyrtarët libanezë kanë paralajmëruar se negociatat nuk mund të konsiderohen serioze nëse këto sulme nuk ndalen.
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit ka dhënë miratimin për nisjen e bisedimeve me Libanin, duke kërkuar çarmatimin e Hezbollahut dhe arritjen e një marrëveshjeje paqeje afatgjatë që, sipas tij, do të zgjasë për breza.
Në këtë kontekst të ndërlikuar, negociatat në Islamabad zhvillohen mes deklaratave kontradiktore dhe tensioneve në rritje, duke e bërë të paqartë nëse dialogu mund të çojë realisht drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme.
(Burimi: BBC)






