Një video e postuar nga Donald Trump ka ndezur polemika të forta në SHBA dhe jashtë saj, pasi klipi i gjeneruar nga inteligjenca artificiale i paraqiste Barack dhe Michelle Obama si majmunë në xhungël, ndërsa liderë të tjerë demokratë shfaqeshin si kafshë. Postimi, që mori mijëra pëlqime, shkaktoi reagime të menjëhershme dhe kritika dypartiake, ndërsa Bashkimi Europian dënoi ashpër përmbajtjen, duke theksuar se “racizmi, gjuha e urrejtjes dhe përmbajtja e paligjshme nuk kanë vend në internet, jo sepse Komisioni e thotë këtë, por sepse janë të paligjshme në jetën reale”.
Shtëpia e Bardhë fillimisht u përpoq ta mbronte publikimin, duke e cilësuar atë një “meme video në internet që përshkruan Presidentin Trump si Mbretin e Xhunglës dhe Demokratët si personazhe nga ‘Mbreti Luan’”. Zëdhënësja Karoline Leavitt reagoi duke thënë: “Ju lutem ndaloni këtë zemërim të rremë dhe flisni për diçka që është realisht e rëndësishme për publikun amerikan”. Megjithatë, vetëm disa orë më vonë videoja u hoq, me arsyetimin se ishte postuar gabimisht nga një anëtar i stafit.
Kontroversat nuk u ndalën me kaq. Një tjetër valë indinjate shpërtheu pasi u raportua se Trump do ta kushtëzonte dhënien e fondeve federale për një tunel hekurudhor mes Nju Jorkut dhe Nju Xhersit vetёm nёse Stacionit Penn në Nju Jork dhe Aeroportit Dulles në Uashington i vёnё emrin e tij, një veprim që kritikët e konsideruan si shenjë megalomanie dhe kult personaliteti.
Videoja, një nga postimet e shumta të orëve të vona të natës nga Trump, përfshin akuza për manipulim të makinerisë zgjedhore në shtetet kyçe dhe mbyllet me një skenë ku fytyrat e buzëqeshura të familjes Obama mbivendosen mbi ato të dy primatëve, ndërsa në sfond dëgjohet kënga “The Lion Sleeps Tonight”. Në klip, Hillary Clinton, Alexandria Ocasio-Cortez dhe Kamala Harris shfaqen gjithashtu si kafshë, ndërsa Joe Biden paraqitet si një primat që ha një banane. Të gjithë përkulen para Trump, i cili portretizohet si luan.
Reagimet politike ishin të ashpra. Udhëheqësi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, deklaroi: “Trump është një individ i përçmuar, i çmendur dhe i lig. Pse udhëheqësit republikanë si John Thune vazhdojnë ta mbështesin këtë person të sëmurë? Çdo republikan duhet të denoncojë menjëherë fanatizmin e neveritshëm të Donald Trump”. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, e dënoi “sjelljen e neveritshme” të presidentit dhe u bëri thirrje republikanëve të distancohen prej tij.
Disa zëra nga Partia Republikane reaguan gjithashtu. Senatori afrikano-amerikan Tim Scott, i cili kishte ambicie për t’u bërë “republikani Obama”, u shpreh: “Kjo është gjëja më raciste që kam parë ndonjëherë të dalë nga kjo Shtëpi e Bardhë”, duke kërkuar heqjen e videos. Edhe Derrick Johnson, president i NAACP – organizata më e vjetër amerikane që lufton diskriminimin ndaj njerëzve me ngjyrë – e cilësoi klipin “haptas racist, të neveritshëm dhe të përçmueshëm”. Një zëdhënëse e Obamës bëri të ditur se ish-presidenti nuk do të komentonte.
Nuk është hera e parë që Trump sulmon Obamën, lindjen amerikane të të cilit e ka vënë në dyshim për vite me radhë me teorinë “Birther”, ndërsa ka shprehur edhe zili për Çmimin Nobel të tij. Kohët e fundit ai publikoi edhe një video raciste të Jeffries me sombrero dhe mustaqe meksikane.
Megjithatë, kritikët thonë se ky episod shënon një nivel të ri përshkallëzimi, pasi ringjall një klishe raciste të përdorur historikisht për të dehumanizuar njerëzit me ngjyrë dhe për të justifikuar linçimet dhe mizoritë e tjera. Trump ka një histori komentesh përçmuese ndaj afrikano-amerikanëve, grave dhe emigrantëve, ndërsa gjatë administratës së tij të dytë llogaritë zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, Departamentit të Punës dhe Sigurisë Kombëtare kanë shpërndarë imazhe dhe slogane që, sipas kritikëve, jehonin mesazhe supremaciste të bardha.
(Burimi: ANSA)






