Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë të ditur se do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin në Budapest të Hungarisë për të diskutuar mbi përfundimin e luftës në Ukrainë.
Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social të enjten, Trump tha se vendimi erdhi pas një bisede të gjatë telefonike me Putinin, të cilën e përshkroi si “shumë produktive”.
“Presidenti Putin dhe unë do të takohemi në një vend të rënë dakord – Budapest, Hungari – për të parë nëse mund t’i japim fund kësaj lufte ‘të pafalshme’ midis Rusisë dhe Ukrainës,” shkroi Trump. “Nesër do të takohem me presidentin Zelensky në Zyrën Ovale, ku do të diskutojmë mbi bisedën time me Putinin dhe shumë çështje të tjera,” shtoi ai.
Trump njoftoi gjithashtu se Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, do të udhëheqë një delegacion të nivelit të lartë që do të takohet me zyrtarë rusë javën e ardhshme, me vendndodhje ende të papërcaktuar.
Kremlini e konfirmoi menjëherë iniciativën për një samit në Budapest. Këshilltari i lartë rus, Yury Ushakov, e përshkroi telefonatën mes dy liderëve si “shumë të hapur dhe informuese”, duke thënë se ajo zgjati rreth dy orë e gjysmë dhe u zhvillua me kërkesë të Rusisë.
Kryeministri hungarez Viktor Orban, një aleat i afërt i të dy liderëve, njoftoi se përgatitjet për samitin “për paqe SHBA–Rusi” janë tashmë në zhvillim. “Hungaria është ishulli i PAQES!”, shkroi Orban në rrjetin X pas një bisede telefonike me Trump.
Telefonata mes Trump dhe Putinit vjen vetëm një ditë para takimit të presidentit amerikan me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Shtëpinë e Bardhë.
Zelensky tha në Kiev se do të diskutojë me Trumpin mbi “mbrojtjen ajrore dhe raketat me rreze të gjatë veprimi për të ushtruar presion ndaj Rusisë.”
Presidenti ukrainas përmendi gjithashtu mundësinë që SHBA të dërgojë raketa Tomahawk në Ukrainë, nëse Moska nuk ndryshon qëndrim. Ai tha se “gjuha e forcës dhe drejtësisë” është ajo që do ta detyrojë Rusinë të rikthehet në negociata.
Nga ana e tij, Kremlini konfirmoi se gjatë telefonatës, Trump i kishte thënë Putinit se do të “merrte parasysh shqetësimet e Rusisë” mbi furnizimin e Ukrainës me raketa Tomahawk.
Ushakov shtoi se Putini i kishte përsëritur qëndrimin e tij se “raketat nuk do ta ndryshonin situatën në fushën e betejës, por do të dëmtonin rëndë marrëdhëniet SHBA–Rusi dhe shpresat për paqe.”
Ky zhvillim vjen rreth dy muaj pas samitit të fundit mes Trump dhe Putinit, i mbajtur në Anchorage të Alaskës. Budapesti ishte ndër vendet e përfolura për atë takim, përpara se të vendosej për Alaskën.
Samiti i ri pritet të shënojë një moment të rëndësishëm në përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ndërsa vëmendja botërore po zhvendoset drejt një mundësie reale për negociata të drejtpërdrejta mes Moskës dhe Uashingtonit.






