Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shprehur publikisht mbështetjen për kryeministrin hungarez Viktor Orban në prag të zgjedhjeve parlamentare të prillit, duke u përfshirë drejtpërdrejt në një garë që pritet të jetë vendimtare për drejtimin politik të vendit.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social Truth Social, Trump e cilësoi Orbanin një “lider vërtet të fortë dhe të fuqishëm”, duke theksuar se ai “lufton pa u lodhur për vendin dhe popullin e tij”, njësoj siç pretendon se bën vetë për Shtetet e Bashkuara. Ai vuri në dukje edhe ngjashmëritë mes tyre, sidomos në politikat e ashpra kundër emigracionit të paligjshëm dhe theksin tek “ligji dhe rendi”.
Trump theksoi se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Hungarisë kanë arritur “nivele të reja bashkëpunimi” gjatë administratës së tij, duke shtuar se kishte mbështetur Orbanin edhe në zgjedhjet e vitit 2022 dhe se ndihej i nderuar ta bënte sërish.
Orban, kryeministri më jetëgjatë në historinë e Hungarisë, drejton vendin që nga viti 2010, pasi ka mbajtur të njëjtin post edhe në periudhën 1998–2002. Megjithatë, partia e tij Fidesz përballet me një garë më të fortë këtë herë. Sipas një sondazhi të publikuar më 3 shkurt nga qendra kërkimore 21 Kutatokozpon, partia e qendrës së djathtë Tisza kryeson me 35% të mbështetjes, kundrejt 28% për Fidesz.
Rënia e popullaritetit të Orbanit lidhet pjesërisht me vështirësitë ekonomike dhe pakënaqësitë ndaj kursit gjithnjë e më iliberal të qeverisjes. Organizatat e të drejtave të njeriut e kanë kritikuar vazhdimisht qeverinë e tij për cenim të demokracisë, kufizime ndaj azilit dhe hetime ndaj kritikëve nën argumentin e mbrojtjes së “sovranitetit kombëtar”.
Shenja pakënaqësie janë shfaqur edhe në rrugë. Pavarësisht ndalimit të eventeve Pride vitin e kaluar, dhjetëra mijëra qytetarë marshuan në Budapest në mbështetje të komunitetit LGBTQ+, në një nga protestat më të mëdha të viteve të fundit. Më pas, prokuroria ngriti akuza penale ndaj kryebashkiakut të Budapestit, Gergely Karacsony, për organizimin e marshimit.
Megjithatë, Trump ka vijuar ta mbështesë platformën nacionaliste të Orbanit dhe shpesh ka kritikuar vendet evropiane për, sipas tij, censurimin e zërave të djathtë. Dy liderët u takuan së fundmi në Davos, ndërsa më herët Orban u prit edhe në Shtëpinë e Bardhë, ku u diskutua zgjerimi i bashkëpunimit tregtar.
Mbështetja për Orbanin është pjesë e një modeli më të gjerë ndërhyrjesh politike nga Trump në zgjedhje jashtë SHBA-së. Ai ka kërcënuar më parë me ndërprerje ndihmash për vende si Argjentina dhe Hondurasi nëse votuesit nuk mbështesnin kandidatët e preferuar prej tij — raste ku kandidatët e mbështetur nga Trump dolën fitues.
Këto lëvizje kanë ngritur shqetësime se Uashingtoni mund të përdorë peshën e tij ekonomike dhe politike për të ndikuar proceset zgjedhore në vende të tjera, duke vënë në diskutim kufijtë e ndikimit amerikan mbi demokracitë e huaja.






