Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të premten se do t’i kërkojë Prokurores së Përgjithshme, Pam Bondi, të nisë një hetim mbi lidhjet e të dënuarit për abuzim seksual Jeffrey Epstein me një sërë figurash të profilit të lartë, disa ditë pasi demokratët publikuan email-e të Epstein ku përmendej edhe emri i tij.
Përmes një postimi në platformën Truth Social, Trump akuzoi demokratët se po përpiqen të rikthejnë vëmendjen tek lidhjet e tij të dikurshme me Epstein, duke i cilësuar veprimet e tyre si “një mashtrim për të devijuar vëmendjen nga dështimet e tyre dhe mbyllja e qeverisë”.
“Do t’i kërkoj Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi dhe Departamentit të Drejtësisë, së bashku me patriotët tanë në FBI, të hetojnë përfshirjen dhe marrëdhëniet e Epstein me Bill Clinton, Larry Summers, Reid Hoffman, J.P. Morgan, Chase dhe shumë persona e institucione të tjera, për të zbuluar çfarë ka ndodhur mes tyre,” shkroi Trump.
Më vonë të premten, Bondi konfirmoi se do të hapte hetimin dhe caktoi prokurorin kryesor të Distriktit Jugor të Nju Jorkut, Jay Clayton, për të drejtuar procesin federal të hetimit.
Hetimi vjen në një moment kur Trump po përballet me presione nga demokratët dhe disa republikanë për publikimin e të gjitha dokumenteve të çështjes Epstein. Pak ditë më parë, republikanët nuk arritën të bllokonin votimin në Kongres për publikimin e dosjeve, çka pritet të votohet javën e ardhshme.
Sipas analistëve ligjorë, nisja e një hetimi të ri penal mund t’i japë Departamentit të Drejtësisë arsye të fortë për të mos i dorëzuar dokumentet Kongresit, pasi publikimi i tyre mund të rrezikojë integritetin e hetimit.
Trump ka reaguar ashpër ndaj ligjvënësve republikanë që mbështesin publikimin, duke i quajtur “të dobët dhe të pamend”. Ai ka përsëritur vazhdimisht se çështja është “një mashtrim tjetër politik”, i ngjashëm me hetimin mbi Rusinë.
Dokumentet e publikuara së fundmi nuk implikojnë Trump në ndonjë shkelje penale dhe ai nuk ka marrë apo dërguar email-et ku përmendet. Ndërkohë, ish-presidenti Bill Clinton ka pranuar se ka udhëtuar disa herë me avionin privat të Epstein për qëllime të Fondacionit Clinton, ndërsa ka mohuar çdo përfshirje në veprimtaritë kriminale të tij.
JPMorgan Chase, i cili ka qenë një nga institucionet që Epstein ka përdorur për financime, tha se ka ndërprerë marrëdhëniet me të vite para arrestimit. Banka pagoi 290 milionë dollarë në 2023 për të zgjidhur një çështje civile të ngritur nga viktimat e Epstein.
Hetimi i ri pritet të ndezë edhe më tej debatin e tensionuar politik dhe të shtojë presionin mbi publikimin e plotë të dosjeve Epstein.






