Presidenti amerikan Donald Trump ka ndezur sërish debat global me kritikat e tij ndaj Evropës, duke e quajtur kontinentin “në proces kalbjeje” dhe udhëheqësit e tij “të dobët”. Në një intervistë për Politico, Trump akuzoi vendet evropiane se kanë dështuar të kontrollojnë emigracionin dhe se kanë lejuar që lufta në Ukrainë të vazhdojë pa ndërhyrë me vendosmëri. Ai madje sugjeroi se SHBA-të mund të ulin mbështetjen për Kievin.
Sipas Trump, Evropa e ka lënë Ukrainën të luftojë “derisa të bjerë”, ndërsa ai vetë vazhdoi presionin mbi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke e nxitur hapur që të “luajë lojën” dhe të pranojë të lëshojë territor në favor të Moskës – një ide që Kievi e ka kundërshtuar me forcë.
Këto deklarata vijnë vetëm një ditë pasi liderët evropianë u mblodhën në Londër për të diskutuar përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës. Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, iu përgjigj ashpër Trumpit, duke thënë se ajo sheh “forcë, jo dobësi” në Evropë – duke përmendur rritjen e investimeve në mbrojtje dhe mbështetjen e vazhdueshme financiare për Ukrainën. Sipas saj, ndërsa Zelensky dhe Trump “punojnë për paqen”, Putin po zgjedh vetëm “përshkallëzim dhe sulme me dronë e raketa”.
Nga ana tjetër, Zelensky u shpreh se Ukraina dhe vendet evropiane po finalizojnë elementët e një plani të mundshëm paqeje, i cili pritet t’i dorëzohet SHBA-ve. Por frika mbetet e lartë në Kiev: një marrëveshje e nxituar me Rusinë, e formësuar sipas kushteve amerikane, mund të lërë vendin të pambrojtur ndaj agresioneve të ardhshme.
Ndërkohë, pavarësisht bisedimeve të vazhdueshme mes SHBA-ve, Ukrainës dhe Rusisë, asnjë marrëveshje konkrete nuk është arritur deri më tani.






