Bashkë me Presidentin egjiptian Abdel Fattah El-Sisi, Donald Trump drejtoi Samitin e Paqes mes Izraelit dhe Hamasit.
Trump kaloi një ditë sa intensive, po aq edhe historike në Lindjen e Mesme. Në fillim ai ndaloi në Izrael, në Jerusalem, për të asistuar fillimin e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, ku më kryesorja ishte shkëmbimi i pengjeve të mbetura në duart e Hamasit (20) me të burgosurit palestinezë (rreth 2,000) në burgjet izraelite. Trump vizitoi dhe përshëndeti edhe Knessetin e Izraelit.
Më pas, misioni kryesor i presidentit Trump u drejtua në Sharm El-Sheikh, në Egjipt. Aty pritej nga të gjithë udhëheqësit e botës arabe dhe më të rëndësishmit e Europës.
Në samitin e paqes të mbajtur në Sharm el-Sheikh, Egjipti, Katari dhe Turqia nënshkruan së bashku me presidentin amerikan Donald Trump dokumentin që zyrtarizon marrëveshjen e armëpushimit Izrael-Hamas. Gjatë fjalës së tij, presidenti egjiptian Abdel Fattah El-Sisi e quajti këtë plan “shansin e fundit për paqe në rajon”, ndërsa më shumë se 20 liderë botërorë – përfshirë Mbretin Abdullah të Jordanisë, presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, emirin e Katarit, si dhe krerët e Francës dhe Britanisë – mbështetën publikisht marrëveshjen.
Në fjalimin e tij, Trump falënderoi udhëheqësit e pranishëm dhe e përshkroi samitin si “mbledhjen më të madhe të vendeve më të fuqishme dhe të pasura që është parë ndonjëherë”, duke shtuar se bota ka “një mundësi që ndodh vetëm një herë në jetë për t’i lënë pas armiqësitë e së kaluarës”.
El-Sisi, në fund të samitit, i dorëzoi Trumpit Urdhrin e Nilit – nderin më të lartë civil të Egjiptit. Në këtë samit u theksua gjithashtu se zgjidhja me dy shtete mbetet baza e vetme për paqe të qëndrueshme, ndërsa plani i Trump parashikon një periudhë tranzitore në Gazë, me reformim të Autoritetit Palestinez përpara krijimit të mundshëm të shtetit palestinez.






