Elizabeth Smart ishte vetëm 14 vjeç kur u rrëmbye nga dhoma e saj e gjumit në mes të natës, në një nga rastet më tronditëse kriminale që kanë prekur opinionin publik amerikan. Sot, në moshën 38-vjeçare, ajo rrëfen për herë të parë detaje të panjohura më parë në dokumentarin e ri të Netflix, Kidnapped: The Elizabeth Smart Story.
Rrëmbimi që ndodhi para syve të motrës
Ngjarja ndodhi më 2 qershor 2002, në shtëpinë e familjes së saj në Salt Lake City, Utah. Një person hyri fshehurazi në dhomë pasi preu rrjetën mbrojtëse të dritares dhe e kërcënoi vajzën me thikë. Motra e saj 9-vjeçare, Mary Katherine, u detyrua të qëndronte në heshtje pasi agresori e paralajmëroi se do ta vriste nëse kërkonte ndihmë.
Fillimisht, hetuesit menduan se do ta zgjidhnin çështjen brenda pak ditësh. Vogëlushja u mor në pyetje, por ishte tepër e traumatizuar për të kujtuar shumë – përveç një detaji: zëri i rrëmbyesit i dukej i njohur.

Një i dyshuar që nuk u pikas menjëherë
Më vonë u zbulua se autori ishte Brian David Mitchell, një burrë që familja e njihte dhe që kishte bërë punë të rastësishme në shtëpinë e tyre. Mary Katherine e kuptoi këtë rreth katër muaj pas rrëmbimit, por fillimisht autoritetet nuk e morën seriozisht dëshminë e saj.
Vetëm pasi u publikua një portret i tij, ai u njoh nga qytetarë dhe hetimi mori drejtimin e duhur.
Nëntë muaj në robëri
Elizabeth u mbajt e izoluar për muaj të tërë në një kamp të largët dhe pёrdhunohej prej tij ҫdo ditё. Kishte raste dhe nё sy tё bashkёshortes sё tij. Ajo kujton se ishte aq e frikësuar, sa edhe kur ndodhej në vende publike nuk guxonte të kërkonte ndihmë.
Rrëmbimi përfundoi në mënyrë dramatike në mars të vitit 2003, kur policia e identifikoi Mitchell ndërsa ecte me vajzën në qytet. “Motra ime më shpëtoi,” thotë Elizabeth në dokumentar, duke iu referuar rolit vendimtar të Mary Katherine.
Mitchell, sot 72 vjeç, u dënua me burgim të përjetshëm. Bashkëpunëtorja e tij, Wanda Barzee, vuajti një pjesë të dënimit dhe më pas u lirua.


Sot Elizabeth Smart është nënë e tre fëmijëve dhe një aktiviste e njohur për personat e zhdukur. Duke ndarë historinë e saj, ajo shpreson të ndihmojë të tjerët që kanë kaluar përvoja traumatike dhe të rrisë ndërgjegjësimin për mbrojtjen e fëmijëve.
Dokumentari po transmetohet aktualisht në platformën Netflix. Mos e humbisni.






