Dorëhiqet Andriy Yermak, miku më i afërt i Volodymyr Zelensky-it, Shef i Kabinetit në Presidencën e tij, dhe kryenegociatori që ka udhëhequr delegacionin ukrainas gjatë bisedimeve të fundit për paqe, në Gjenevë.
Dorëheqja e Yermakut u njoftua nga Zelensky dhe kjo e ndërlikon shumë pozicionin e Ukrainës në negociatat për paqe që po zhvillohen me SHBA.
“Dua që askush të mos ketë pikëpyetje në lidhje me Ukrainën. Ndaj, sot po njoftoj se do të ketë një riorganizim të Kabinetit të Presidentit të Ukrainës, pasi Kreu i Kabinetit, Andriy Yermak, ka dhënë dorëheqjen”, tha Zelensky në fjalimin e tij të përditshëm televiziv.
Yermak ndërkohë nuk e konfirmoi menjëherë dorëheqjen, por konfirmoi se po i bëhej kontroll banesës dhe se po “bashkëpunonte plotësisht” me autoritetet ligjzbatuese.
Ai shkroi në Telegram se “Hetuesit nuk po hasin ndonjë pengesë. Atyre u është dhënë akses i plotë në apartament dhe avokatët e mi janë atje, duke bashkëvepruar me autoritetet e zbatimit të ligjit”.
Të dy organet kryesore antikorrupsion në Ukrainë, Byroja Antikorrupsion (NABU) dhe Zyra Kombëtare e Prokurorit të Specializuar Antikorrupsion (SAPO), u përfshinë në kontrollin e banesës së Yermak.
Në deklaratën e saj SAPO nuk zbuloi arsyen e kontrollit, por ai vjen dy javë pasi të dy agjencitë njoftuan fillimin e një hetimi gjithëpërfshirës mbi një skemë të dyshuar ryshfeti në fushën e energjisë elektrike.
Tashmë, nuk është e qartë se kush do ta zërë vendin e Yermak në raundet e ardhshme të negociatave, të cilat priten që të bëhen në ditët në vijim, por Zelensky pohoi në njoftimin e tij se “Delegacioni do të përfshijë Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Sekretarin e Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare dhe shërbimet tona të inteligjencës”.
Bisedimet me SHBA për paqe me Rusinë kanë qenë të vështira. Javën e kaluar, administrata Trump doli me një plan paqeje prej 28 pikash që pasqyronte kryesisht listën e gjerë të dëshirave të Rusisë, duke përfshirë kërkesat që Ukraina të heqë dorë nga territori, të zvogëlojë ushtrinë e saj dhe të mos i lejohet anëtarësimi në NATO.
Zyrtarët ukrainas dhe evropianë e kundërshtuan fuqimisht atë version të planit të paqes dhe delegacioni i Yermak arriti të bindë SHBA-në t’i shtyjë negociatat dhe ta rishikojë planin e paraqitur.
Nga ana tjetër, Putin reagoi një ditë më parë se nuk është i gatshëm të heqë dorë nga kërkesat e tij maksimaliste.
Problemet me korrupsionin nuk janë të reja për Ukrainën. Ajo është parë prej kohësh si një nga vendet më të korruptuara në Evropë dhe vetë korrupsioni si pengesë e madhe për aspiratat e saj për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.
BE-ja ia ka bërë të qartë Kievit se duhet të zbatojë masa të forta kundër korrupsionit nëse dëshiron të bëhet anëtare e BE-së.
Lufta kundër korrupsionit endemik qeveritar ishte gjithashtu premtimi kryesor i fushatës së Zelensky-t përpara zgjedhjeve të vitit 2019.
Si një ish-komedian që luante çdo të diel presidentin e Ukrainës në një shfaqje televizive të suksesshme, Zelensky nuk kishte asnjë përvojë politike para fitores së tij si President real – por ai shfrytëzoi maksimalisht zhgënjimin e ukrainasve për këtë çështje.
Gjatë luftës, Zelensky ka shkarkuar një numër zyrtarësh të lartë ukrainas për shkak të akuzave për korrupsion, dhe qeveria e tij ka ndërmarrë një sërë masash kundër korrupsionit, përfshirë një plan masash me emërtimin “Strategjia Kombëtare Kundër Korrupsionit”.
Paula Pinho, zëdhënësja e Komisionit Evropian, e kishte lavdëruar përpjekjen e Ukrainës dhe Presidentit të saj në një deklaratë duke thënë se “hetimet po tregojnë se organet antikorrupsion në Ukrainë po bëjnë punën e tyre”.
Por Zelensky në fillim të këtij viti donte të fuste një ligj të ri për “Mbikëqyrjen e NABU dhe SAPO” nga Prokurori i Përgjithshëm, që u pa si një figurë politike, që do ishte në duart e Zelenskyt.
I kritikuar nga BE-ja, ky veprim shkaktoi protesta antiqeveritare në Ukrainë në kohën kur Rusia nisi pushtimin e saj të plotë në shkurt 2022. Zemërimi publik e detyroi Zelenskyn të ndryshonte pozicionimin e tij dhe të rivendoste mosmiratimin e ligjit duke e lënë të plotë “pavarësinë” e agjencive NABU dhe SAPO.
Por ky episod i fundit i goditjes së bashkëpunëtorit më të ngushtë të Zelenskyt, pikërisht nga agjencitë e pavarura antikorrupsion, ngre shumë pikëpyetje dhe dyshime në momentin e vështirë që po kalon Ukraina.
Kontrolli i banesës së Shefit të Kabinetit të Presidentit Zelensky së bashku me akuzat e fundit të bëra kundër disa prej aleatëve më të ngushtë të tij si janë Timur Mindich apo ish-zëvendëskryeministri Oleksiy Chernyshov janë një presion i shtuar, kur përballja në negociatat e vështira me SHBA-në dhe Rusinë janë vetëm orë dhe ditë larg.

(Përshtatur nga CNN)






