Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot seancën plenare, ku miratoi një sërë vendimesh që lidhen me karrierën dhe funksionimin e organit të akuzës.
Gjatë mbledhjes u miratuan dy raporte për verifikimin e pasurisë dhe figurës për kandidatet për ngritje në detyrë në Prokurorinë e Përgjithshme, Marjeta Zaimi dhe Antoneta Sevdari, si edhe dy raporte vlerësimi për kandidatët për drejtues në Prokurorinë e Durrësit.
Po ashtu, u shpallën dy vende vakante për drejtues në Prokuroritë e Kukësit dhe Beratit.
Një vendim tjetër që tërheq vëmendjen lidhet me miratimin e vetëm 7 kuotave për pranimin në profilin prokuror në Programin e Formimit Fillestar të Shkollës së Magjistraturës për vitin akademik 2026–2027.
Një shifër e tillë duket modeste përballë boshllëqeve që prej vitesh raportohen në sistemin e prokurorisë, ku mungesa e burimeve njerëzore ka ndikim direkt në ritmin e hetimeve dhe përballimin e ngarkesës së dosjeve.
Kjo vendimarrje ngre pikëpyetje nëse numri i kufizuar lidhet me kapacitetet reale të sistemit, me standardet e rekrutimit apo me një strategji më të kujdesshme për filtrimin e kandidatëve.







