Vezët mund të jenë një aleat i papritur për njerëzit që përpiqen të ndalojnë ose të ulin përdorimin e ilaçeve për humbje peshe si Ozempic, Wegovy apo Mounjaro. Adam Collins, profesor i asociuar i të ushqyerit në Universitetin e Surrey-t, thekson se ushqimet e pasura me proteina, të thjeshta dhe të përballueshme, mund të ndihmojnë në zbutjen e problemit kryesor pas ndërprerjes së këtyre barnave: rikthimin e peshës.
Duke shkruar për The Conversation, Collins shpjegon se shumë njerëz i ndërpresin barnat GLP-1 për arsye të ndryshme – kostoja e lartë, efektet anësore ose sepse kanë arritur peshën e dëshiruar. Por sfida më e madhe nis më pas. Studimet afatgjata tregojnë se, sapo ndalen këto ilaçe, njerëzit rifitojnë më shumë se gjysmën e peshës që kanë humbur. Madje, sipas tij, rikthimi i peshës mund të jetë edhe më i fortë sesa pas dietave tradicionale, për shkak të mënyrës se si këto barna ndikojnë në hormonet e oreksit.
Në këtë kontekst, Collins propozon një zgjidhje surprizë: vezën. “Pavarësisht nëse jeni ende duke përdorur injeksione GLP-1, po i ulni gradualisht apo i keni ndërprerë, veza e thjeshtë është një opsion që ia vlen të merret seriozisht”, shkruan ai.
Arsyeja lidhet me përbërjen e saj ushqyese. Vezët ofrojnë proteina me cilësi të lartë, që përmbajnë të gjitha aminoacidet thelbësore për ruajtjen e muskujve, si dhe vitaminë D dhe një gamë të gjerë mikronutrientësh. Ato janë gjithashtu ndër burimet më të qëndrueshme dhe më të përballueshme të proteinave shtazore.
Studimet tregojnë se konsumimi i vezëve rrit ndjesinë e ngopjes dhe bën që njerëzit të hanë më pak në vaktet pasuese, përfshirë personat mbipeshë ose obezë. Kjo ndodh sepse proteina në vezë nxit lirimin natyror të hormonit GLP-1 në trup, ndërkohë që shtyp hormonin e urisë, ghrelinën – të njëjtin mekanizëm mbi të cilin bazohen injeksionet për dobësim. Në këtë kuptim, Collins thotë se “vezët veprojnë si një prodhues natyror i GLP-1, jo si një ilaç”, duke ndihmuar potencialisht në uljen e rrezikut të rifitimit të peshës.
Një përfitim tjetër i rëndësishëm lidhet me ruajtjen e muskujve. Shumë njerëz që humbasin peshë përmes dietave apo barnave humbasin jo vetëm dhjamë, por edhe masë muskulore, sidomos nëse marrja e proteinave është e pamjaftueshme. Hulumtimet sugjerojnë se një konsum proteinash rreth 1 gram për kilogram peshë trupore ose më shumë ndihmon në ruajtjen e muskujve – dhe vezët ofrojnë një mënyrë praktike dhe të kontrolluar për ta arritur këtë, sidomos kur vaktet e mëdha nuk janë tërheqëse.
Pavarësisht kritikave të vjetra për kolesterolin apo rrezikun kardiovaskular, udhëzimet më të fundit tregojnë se për shumicën e njerëzve, një vezë në ditë është e sigurt. Harvard Health thekson se rëndësi ka më shumë konteksti i përgjithshëm i dietës dhe ushqimet me të cilat shoqërohet veza. Sipas Collins, kombinimi i vezëve me ushqime të pasura me fibra, si buka integrale, mund të rrisë edhe më shumë përfitimet, duke amplifikuar lirimin e GLP-1 dhe duke përmirësuar shëndetin metabolik.
Ai shton se vezët ndihmojnë edhe në mbulimin e mungesave ushqyese, të cilat janë të zakonshme te personat që përdorin barna për dobësim. Një studim i vitit 2025 tregoi se shumë përdorues të ilaçeve GLP-1 kishin mungesë të vitaminës D, kalciumit, hekurit, magnezit, kaliumit dhe vitaminave A, C, E dhe K. Vezët, ndonëse nuk janë “Wegovy apo Mounjaro të natyrës”, mund të jenë një mënyrë e thjeshtë dhe me kosto efektive për të adresuar një pjesë të këtyre mungesave.
Ndërsa vezët nuk zëvendësojnë barnat për humbje peshe, ato mund të luajnë një rol të rëndësishëm në një strategji më të qëndrueshme për kontrollin e peshës dhe shëndetin ushqyes – sidomos për ata që përpiqen të mos rikthejnë kilogramët e humbur.
(Burimi: Daily Mail)






