Në një intervistë të fundit, Sekretari i Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr. deklaroi se kishte udhëzuar personalisht Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) të modifikonin faqen e tyre zyrtare dhe të hiqnin deklaratën e kahershme se “vaksinat nuk shkaktojnë autizëm”, duke argumentuar se ky pohim nuk është “i bazuar në prova”.
Kennedy pranoi se studimet e mëdha për vaksinën kundër fruthit, shytave dhe rubeolës, si edhe për konservuesin thimerosal, nuk kanë gjetur lidhje me autizmin, por theksoi se mungojnë kërkime të mëdha dhe cilësore për vaksinat e tjera qё bёhen në vitin e parë të jetës, si hepatiti B dhe kombinimi kundër difterisë, tetanosit dhe pertusisit (njohur nё gjuhёn e pёrditshme si ‘kolla e mirё’).
Ai tha se nuk pretendon se vaksinat shkaktojnë autizëm, por se nuk ka mjaftueshëm prova për të thënë se ato nuk e shkaktojnë, duke e përshkruar deklaratën absolute si të pambështetur shkencërisht dhe të përdorur për të qetësuar frikën e prindërve. Ndërhyrja e tij shënon një akt të pazakontë, pasi zyrtarë të mëparshëm të CDC-së shpjegojnë se ndryshime të tilla zakonisht burojnë nga komuniteti shkencor dhe jo nga urdhërat politikë.
Ekspertët e shëndetit publik kundërshtojnë pikëpamjen e Kennedy-t, duke e akuzuar se po minon besimin te vaksinimi duke u mbështetur te një rrezik i paprovuar. Ata theksojnë se më shumë se 40 studime ndërkombëtare që përfshijnë miliona fëmijë nuk kanë gjetur asnjë lidhje midis vaksinave dhe autizmit. Dr. Mandy Cohen, ish-drejtore e CDC-së, paralajmëroi se ndryshimet në komunikimin zyrtar rrezikojnë uljen e normave të vaksinimit dhe rritjen e sëmundjeve të parandalueshme si fruthi dhe pertusisi.
Senatori Bill Cassidy, mjek dhe kryetar i Komitetit të Shëndetësisë, reagoi ashpër duke deklaruar se vaksinat si ato kundër fruthit, poliomielitit dhe hepatitit B janë të sigurta dhe efektive dhe “nuk shkaktojnë autizëm”, duke e cilësuar të kundërtën si të rrezikshme. Mosmarrëveshja pason debatin dekada të gjatë rreth vaksinave, i cili u ushqye sidomos pas studimit tashmë të tërhequr të Andrew Wakefield në vitin 1998. Që nga ajo kohë, kërkime të shumta dhe të gjera kanë mohuar çdo lidhje, ndërsa statistikat globale tregojnë se vaksinat kanë shpëtuar mbi 154 milionë jetë që nga viti 1974.
Megjithëse disa ekspertë pranojnë se kërkimet mund të zgjerohen për të kuptuar më mirë “nëngrupet e cenueshme”, shumica konsiderojnë se shkenca ekzistuese është e qartë. Ata paralajmërojnë se vazhdimi i dyshimeve pa bazë e ushqen mosbesimin dhe mund të rrezikojë shëndetin publik. Kennedy këmbëngul se transparenca është rruga më e mirë për të ndërtuar besimin, duke pohuar se detyra e tij është të informojë publikun “me të dhënat më të mira të disponueshme”.
(Burimi: The New York Times)






