Nuk ka më dilemë mbi fajësinë e Tetsuya Yamagamit, burrit që vrau ish-kryeministrin japonez Shinzo Abe në vitin 2022. Vetë ai u deklarua fajtor në hapjen e gjyqit. Tani, 45-vjeçari pritet të marrë dënimin këtë të mërkurë, por masa e ndëshkimit ka ndarë thellë opinionin publik në Japoni.
Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm, duke e cilësuar vrasjen e Abes si “akt jashtëzakonisht të rëndë” kundër një figure kyçe të jetës publike në një vend ku krimet me armë janë pothuajse të panjohura. Por ekipi mbrojtës kërkon dënim më të lehtë, duke argumentuar se Yamagami ishte vetë produkt i një historie familjare shkatërruese dhe “abuzimi fetar”.
Shinzo Abe u vra më 8 korrik 2022, gjatë një fjalimi elektoral në qytetin Nara. Yamagami përdori një armë të improvizuar artizanale dhe qëlloi dy herë ndaj ish-kryeministrit, i cili vdiq pak më vonë. Ngjarja tronditi Japoninë dhe botën, duke goditur një vend që e konsideron sigurinë publike si thuajse absolute.
Në gjyq, Yamagami pranoi pa hezitim:
“Gjithçka është e vërtetë. Nuk ka dyshim se e bëra unë këtë.”
Motivi i tij lidhet me Kishën e Unifikimit, një organizatë fetare kontroverse. Ai deklaroi se nëna e tij kishte dhuruar shuma të mëdha parash kishës, duke falimentuar familjen. Urrejtja e tij fillestare, tha ai, ishte ndaj drejtuesve të kishës — por më pas e kanalizoi kundër Abes, pasi pa ish-kryeministrin të shfaqej në një aktivitet të lidhur me këtë organizatë.
Avokatët e tij kërkojnë një dënim deri në 20 vjet burg, duke argumentuar se ai ishte viktimë e rrethanave familjare dhe ekonomike ekstreme. Në gjyq, motra e tij dëshmoi me lot për “fëmijërinë e tmerrshme” që përjetuan për shkak të përfshirjes së thellë të nënës së tyre në kishë. Salla e gjyqit, sipas gazetarëve që ndoqën procesin, u mbush me emocione të forta.
Por prokurorët e hedhin poshtë këtë linjë mbrojtjeje. Sipas tyre, nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë mes Abes dhe dëmit familjar të Yamagamit. “Ka një kërcim të pajustifikuar logjik,” argumentoi prokuroria, duke theksuar se pakënaqësia ndaj kishës nuk justifikon vrasjen e një politikani.
E veja e Shinzo Abes, Akie Abe, lexoi në gjykatë një deklaratë prekëse:
“Hidhërimi për humbjen e bashkëshortit tim nuk do të lehtësohet kurrë. Doja vetëm që ai të ishte ende gjallë.”
Pas vrasjes, Japonia hapi hetime të gjera mbi Kishën e Unifikimit dhe lidhjet e saj me politikën. Një gjykatë në Tokio më vonë i hoqi organizatës statusin zyrtar fetar, duke konstatuar praktika të shfrytëzimit financiar ndaj besimtarëve. Skandali çoi edhe në dorëheqjen e disa ministrave.
Sot, shoqëria japoneze mbetet e ndarë: shumica e shohin Yamagamin si vrasës të ftohtë që goditi demokracinë. Një pjesë më e vogël, megjithatë, e konsideron atë një produkt tragjik të një sistemi social dhe fetar abuziv.
Siç thotë një nga gazetarët që ndoqi procesin:
“Ky rast tregon se si viktimat e problemeve shoqërore mund të shtyhen drejt krimeve të rënda. Pyetja është si të ndalet ky zinxhir.”
Vendimi i gjykatës pritet t`i japë fund procesit ligjor. Por debati moral dhe shoqëror që ngriti vrasja e Shinzo Abe-s do të vazhdojë gjatë në Japoni.
(Burimi: BBC)






