Sipas një studimi të ri shkencor, dëmtimi i strukturave mbrojtëse që rrethojnë neuronet në tru mund të shpjegojë pse sëmundja e Alzheimerit u heq pacientëve aftësinë për të njohur njerëzit e dashur. Këto struktura, të quajtura “rrjeta perineuronale”, duket se luajnë një rol thelbёsor në ruajtjen e kujtesës sociale dhe komunikimin midis neuroneve.
Studimi, i publikuar në revistën Alzheimer’s & Dementia nga Universiteti i Virxhinias dhe Virginia Tech, tregon se dëmtimi i këtyre rrjetave çon në humbjen e aftësisë për të njohur persona të afërt, ndonëse kujtesat për objekte të zakonshme mund të mbeten të paprekura. Ky është një fenomen i ngjashëm me atë që vërehet te pacientët me Alzheimer, të cilët shpesh humbasin më herët kujtesën sociale sesa atë të objekteve.
“Gjetja e një ndryshimi strukturor që shpjegon humbjen specifike të kujtesës në sëmundjen e Alzheimerit është shumë emocionuese. Ky është një objektiv krejtësisht i ri dhe ne tashmë kemi kandidatë të përshtatshëm për ilaçe”, tha drejtuesi i studimit Harald Sontheimer.
Studiuesit testuan teorinë e tyre tek minjtë, duke dëmtuar rrjetat perineuronale në rajonin CA2 të hipokampusit – zona e trurit që lidhet me kujtesën sociale. Minjtë që kishin këtë dëmtim humbën aftësinë për të kujtuar minjtë e tjerë, ndërsa vazhduan të mbanin mend objektet në mjedisin e tyre.
Për të vlerësuar një mundësi trajtimi, ekipi përdori ilaçe të quajtura frenues të metaloproteinazës së matricës (MMP), të cilat parandalojnë tretjen e proteinave që përbëjnë këto rrjeta mbrojtëse. Minjtë e trajtuar me frenues të MMP treguan më pak degradim të rrjetave perineuronale dhe ruajtën më mirë kujtesën sociale, pavarësisht zhvillimit të Alzheimerit.
Këto ilaçe janë aktualisht në studim për trajtimin e tumoreve dhe artritit, por rezultatet e reja sugjerojnë se ato mund të jenë një shpresë e re edhe për Alzheimerin. Megjithatë, para se të mund të testohen te njerëzit, nevojiten studime të thelluara për sigurinë dhe efektivitetin.
(Burimi: ANSA)






