Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se vendi i tij kërkon garanci sigurie nga Shtetet e Bashkuara për të paktën 20 vite përpara se të nënshkruajë një marrëveshje paqeje me Rusinë. Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ai theksoi se çdo marrëveshje duhet të jetë “me dinjitet” dhe e mbështetur nga angazhime të qarta dhe ligjërisht të detyrueshme.
Zelensky bëri të ditur se Uashingtoni deri tani ka ofruar një garanci 15-vjeçare, por Kievi e konsideron të pamjaftueshme. Ukraina kërkon një marrëveshje më të gjatë që të përcaktojë konkretisht ndihmën amerikane për një forcë evropiane sigurie që mund të vendoset në territorin ukrainas pas arritjes së paqes.
Ai shprehu shqetësimin se në bisedimet e pritshme trepalëshe mes Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë, palët shpesh “duket sikur flasin për gjëra krejtësisht të ndryshme”, duke shtuar se amerikanët rikthehen shpesh te ideja e lëshimeve – kryesisht nga ana e Ukrainës, jo e Rusisë.
Presidenti ukrainas konfirmoi gjithashtu se SHBA-të kishin sugjeruar se tërheqja nga rajoni i Donbasit mund ta përshpejtonte paqen, por ai e hodhi poshtë këtë mundësi, duke theksuar se atje jetojnë qytetarë ukrainas. Ndërkohë, ai kërkoi edhe një datë të qartë për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, me disa zyrtarë që kanë përmendur vitin 2027 si objektiv të mundshëm.
Çështja e garancive të sigurisë pritet të mbetet një pikë përçarjeje mes SHBA-së dhe Evropës, pasi shumë vende evropiane janë të shqetësuara për mungesën e qartësisë nga Uashingtoni. Megjithatë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u përpoq të qetësonte aleatët duke deklaruar se “Evropa dhe SHBA-të i përkasin njëra-tjetrës” dhe se partneriteti transatlantik duhet të vazhdojë, edhe pse paralajmëroi se Amerika do të veprojë vetë nëse interesat e saj nuk përmbushen.
Zelensky kritikoi gjithashtu mungesën e rolit të drejtpërdrejtë të Evropës në tryezën e negociatave, duke e quajtur këtë “një gabim të madh”. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump i ka bërë thirrje Ukrainës të “fillojë të veprojë” për të arritur një marrëveshje me Moskën.
Në lidhje me zgjedhjet presidenciale në Ukrainë, për të cilat Uashingtoni ka ushtruar presion, Zelensky tha se ato mund të mbahen vetëm dy muaj pas një armëpushimi, në mënyrë që të garantohet siguria e votuesve.
Ai paralajmëroi se infrastruktura energjetike e Ukrainës ka pësuar dëme të mëdha nga sulmet ruse dhe se kjo çështje do të jetë pjesë e diskutimeve të ardhshme në Gjenevë. Udhëheqësit evropianë, sipas raportimeve, mbeten pesimistë për një përparim të shpejtë diplomatik, duke parashikuar se lufta mund të zgjasë edhe të paktën dy vite të tjera.
Në fjalën e tij, Zelensky kritikoi edhe Iranin për furnizimin e Rusisë me dronë Shahed, të cilët – sipas tij – kanë shkaktuar dëme të mëdha dhe viktima në Ukrainë. “Regjimeve si ai në Iran nuk duhet t’u jepet kohë. Kur kanë kohë, ata vetëm sa vrasin më shumë,” u shpreh ai.
Deklaratat vijnë në një moment kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës po intensifikohen, por mbeten të rrethuara nga mosbesimi dhe dallimet strategjike mes aleatëve perëndimorë.
(Burimi: The Guardian)






