Kur regjisorja tuniziane Kaouther Ben Hania dëgjoi për herë të parë zërin e vogëlushes Hind Rajab, ajo ndodhej në aeroportin e Los Angeles-it. Mes zhurmës dhe rrëmujës, thirrja e dëshpëruar për ndihmë e një fëmije pesëvjeçar e ndaloi në vend. Hind ishte tashmë e vdekur prej më shumë se një jave, por zëri i saj vazhdonte të jetonte – i regjistruar gjatë orëve të fundit, ndërsa ajo lutej që dikush ta shpëtonte.
Hind Rajab u vra në shkurt 2024 në Gaza, pasi makina ku ndodhej me gjashtë të afërm u godit nga një tank izraelit. Sipas grupit kërkimor Forensic Architecture, automjeti u qëllua me qindra plumba. Ajo mbeti e plagosur rëndë, duke humbur gjak mes trupave të pajetë të familjarëve të saj. OKB-ja vlerëson se mbi 20 mijë fëmijë palestinezë janë vrarë gjatë bombardimeve izraelite në Gaza në dy vitet e fundit.
Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze publikoi regjistrime audio të telefonatës së Hindit me qendrën e emergjencës. Për tre orë, vajza e vogël përsëriste me zë të dridhur lutjen që dikush “të vinte ta merrte”, ndërsa punonjësit në anën tjetër të linjës përpiqeshin ta qetësonin dhe i premtonin ndihmë që nuk mbërriti kurrë.
“Kisha ndjesinë sikur po më kërkonte mua ta shpëtoja,” thotë Ben Hania. “Ishte një ndjenjë tronditëse pafuqie. Pyeta veten: çfarë mund të bëj? E vetmja gjë që di të bëj është të bëj filma.”
Para se të niste projektin, regjisorja kontaktoi nënën e Hindit, Wissam Hamada, e cila ndodhej ende në Gaza. “I thashë: nëse nuk do që ta bëj këtë film, nuk do ta bëj. Ajo më u përgjigj: ‘Nuk dua që vajza ime të harrohet. Dua drejtësi për vajzën time.’”
Kështu lindi filmi Zëri i Hind Rajab, një vepër që qëndron mes dokumentarit dhe dramës. Filmi rindërton ngjarjen nga brenda qendrës së thirrjeve të Gjysmëhënës së Kuqe, me aktorë që luajnë punonjësit e emergjencës, ndërsa zëri i Hindit është origjinal – regjistrimi i vërtetë i telefonatës së saj të fundit.
Në film shpaloset edhe dilema morale e shpëtimtarëve: ambulanca ishte vetëm pak minuta larg, por për të lëvizur duhej leja e ushtrisë izraelite. Leja u vonua për orë të tëra. Kur më në fund erdhi, ishte tepër vonë.
Filmi pati një jehonë të jashtëzakonshme. Në Festivalin e Filmit në Venecia u prit me një duartrokitje 23-minutëshe në këmbë – më e gjata në historinë e festivalit. Projekti u mbështet edhe nga emra të mëdhenj të kinemasë botërore si Brad Pitt, Joaquin Phoenix, Rooney Mara, Alfonso Cuarón dhe Jonathan Glazer, si producentë ekzekutivë.
“Janë vrarë kaq shumë fëmijë, sa rrezikojmë të bëhemi të pandjeshëm,” thotë Ben Hania. “Arti dhe kinemaja mund ta thyejnë këtë mpirje. Nuk bëhet më fjalë për të shpjeguar, por për të ndjerë.”
Zëri i Hind Rajab nuk është thjesht një kujtim. Është një dëshmi që sfidon harresën dhe indiferencën globale – një thirrje që, siç thotë regjisorja, “nuk mund të heshtet më kurrë”.
(Burimi: The Guardian)






