Ka përfunduar procesi i numërimit të votave në të pesë bashkitë, ku ditën e djeshme u mbajtën zgjedhjet e pjesshme lokale.
Në të pesë bashkitë, Tepelenë, Vlorë, Mat, Cërrik dhe Berat, fitues ishin kandidatët socialistë.
Këto janë rezultatet:
Vlora
Pas numërimit për Bashkinë e Vlorës, fituese është shpallur kandidatja e PS, Brunilda Mersini me 15.672 vota (78.4%). Dionis Sota i mbështetur nga opozita numëroi 2.333 vota (11.7%). Gjergj Nika, kandidat i pavarur, 1.975 vota (9.9%).
Cërriku
Pas numërimit për Bashkinë e Cërrikut, fitues doli kandidati i PS, Florenc Doka, i cili ka siguruar 66.22 për qind të votave, ose 6.201 vota.
Berati
Pas numërimit për Bashkinë Berat, fitues doli kandidati socialist Ervin Ceca me 13.050 vota, 10.443 vota diferencë me kundërshtarin e tij, Pavllo Shkarpa, i cili mori 2.607 vota.
Tepelenë
Bashkia Tepelenë do të drejtohet nga kandidati socialist Gramos Sako, i cili pas numërimit të kutive të votimit rezultoi fitues me 3.261 vota, pra 77.8% të tyre. Ndërkohë kandidati Gabriel Guma siguroi vetëm 928 vota (22.2%).
Pjesëmarrja e përgjithshme sipas KQZ ishte 18.72 për qind, ndërsa sipas bashkive ndahet si më poshtë:
-Vlorë: 12.54%
-Berat: 19.98%
-Cërrik: 25.00%
-Mat: 39.36%
-Tepelenë: 34.63%.
“Kampione” e mospjesëmarrjes në këto zgjedhje të pjesshme lokale doli Bashkia e Vlorës.
Në vitin 2023, Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet për Bashkinë Vlorë me 71% të votave, por me një pjesëmarrje jashtëzakonisht të ulët, vetëm 25%, krahasuar me çdo herë tjetër më parë.
Kandidati i Partisë Socialiste Ermal Dredha fitoi me 28 mijë vota në një nga bashkitë më të mëdha të vendit dhe, në atë vit, pjesëmarrja u konsiderua se ishte më e ulët se sa zakonisht, ku vetëm 25% e 168 mijë qytetarëve me të drejtë vote morën pjesë në zgjedhje.
Pjesëmarrja e votuesve vlonjatë në vitin 2023 ra me gati 20 mijë vetë në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021.
Ndërkohë dje, për 130.480 zgjedhës në 231 qendra votimi të Bashkisë Vlorë, votuan vetëm 18.039 qytetarë për të zgjedhur pasardhësin e Ermal Dredhës, i cili dha dorëheqjen në shtator.
Znj. Mersini siguroi 15.672 vota nga këta 130.480 zgjedhës, që do të thotë 8.3% të numrit të përgjithshëm të tyre. Bumerangu i shifrave flet vetë. As 10% e qytetarëve të qytetit të Vlorës nuk kanë shprehur vullnet për të zgjedhur një kryetar bashkie.






