Shumicën e ditëve, faqet e para të gazetave britanike ofrojnë një mozaik të larmishëm fotografish. Por të premten, tabloja ishte e njëjtë kudo: i njëjti imazh i Andrew Mountbatten-Windsor, i përkulur në sediljen e pasme të një makine, me pamje të tronditur në ditëlindjen e tij të 66-të, teksa largohej nga një stacion policie.
Të enjten, Mountbatten-Windsor u bë anëtari i parë i familjes mbretërore britanike në historinë moderne që arrestohet, duke kaluar mbi 10 orë në paraburgim në stacionin e policisë në Aylsham, një qytet i vogël rreth një orë larg rezidencës së tij të re në Pasurinë Mbretërore Sandringham.
“Zotat e fotografisë ishin në anën time dje,” tha Phil Noble, fotograf i Reuters, i cili realizoi imazhin që dominoi shtypin britanik.
Noble, qё mbulon veriun e Anglisë, udhëtoi rreth pesë orë me makinë drejt Norfolkut sapo lajmi për arrestimin nisi të përhapej. Me hamendësime të arsyetuara dhe disa burime të besueshme, ai dhe kolegia e tij arritën në përfundimin se Aylsham mund të ishte stacioni i duhur. Në zonën e Luginës së Thamesit ka rreth 20 stacione policie ku ish-princi mund të ishte dërguar, ndaj kërkohej durim dhe intuitë.
“Ky ishte ndoshta stacioni i katërt apo i pestë që Reuters kishte kontrolluar atë natë,” tha Noble. “Kur mbërrita, nuk dukej asgjë e pazakontë. As makina, as lëvizje e shtuar.”
Madje, pak para momentit vendimtar, ai ishte larguar për t’u kthyer në hotel. “Kolegia ime, Marissa, më dërgoi një mesazh: ‘Kanë mbërritur dy makina. Mendoj se duhet të kthehesh.’” Noble u kthye menjëherë. Brenda një minute nga rikthimi i tij, dera e garazhit të stacionit u hap dhe dy makina dolën. Në njërën prej tyre ndodhej Mountbatten-Windsor.
“E ktheva makinën, u pozicionova dhe brenda sekondave gjithçka ndodhi,” rrëfeu ai në një video ku shpjegon realizimin e fotos.
Fotografimi i momenteve të tilla, sipas Noble, është një përzierje përgatitjeje, përvoje dhe, mbi të gjitha, durimi. Kërkon gatishmërinë për të qëndruar për orë të tëra në anë të një rruge rurale britanike, në errësirë, pa asnjë siguri se do të ndodhë diçka e rëndësishme.
“Rreth gjysmë ore para fotos, bëra disa shkrepje provë të makinave të tjera që dilnin nga stacioni, për të përcaktuar parametrat e kamerës,” shpjegoi ai. Me mbi 20 vite përvojë në Reuters dhe më herët në Shoqatën e Shtypit të Mbretërisë së Bashkuar dhe Manchester Evening News, Noble e di se në këto raste çdo sekondë ka peshë.
Por edhe me përvojë, shumëçka mbetet çështje instinkti dhe fati. “Duhet të hamendësosh: ku është ulur? Përpara apo prapa? Në cilën anë? A do të riciklohet blici në kohë?”
Ai realizoi gjashtë kuadro. Dy rezultuan bosh, një ishte jashtë fokusit, dy të tjera tregonin oficerë policie. Por njëri kapi momentin që do të bëhej simbol.
“Shkalla e suksesit në shkrepje të tilla është shumë e ulët,” tha ai. “Kur pashë foton në ekranin e kamerës, pas një dite të gjatë dhe lodhjeje, mezi e besoja që e kisha kapur.”
I pyetur nëse ishte fotografia më e mirë e karrierës së tij, Noble buzëqeshi. “Artistike? Ndoshta jo. Është një burrë i fotografuar natën, përmes xhamit të një makine. Por a është ndër më të rëndësishmet që kam bërë ndonjëherë? Njëqind për qind.”

(CNN/Reuters)






