“Është disi si një gjitar me sqep rosaku”, deklaroi ish-Ambasadori i BE-së, James Moran, lidhur me krahun diplomatik të Bashkimit Evropian.
Shërbimi diplomatik i Bashkimit Evropian, nën drejtimin e Kaja Kallas, po përballet me një periudhë trazirash të brendshme të paprecedentë – duke nxjerrë në pah pyetje thelbësore, pothuajse ekzistenciale, mbi faktin nëse mekanizmi i politikës së jashtme të bllokut është ende funksional dhe i përshtatshëm për kohën.
I krijuar në bazë të Traktatit të Lisbonës, Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) u konceptua si një kompromis institucional mes Brukselit dhe kryeqyteteve kombëtare: mjaftueshëm i fuqishëm për të koordinuar diplomacinë në emër të qeverive të BE-së në mënyrë kolektive dhe relativisht të pavarur nga Komisioni Evropian, por njëkohësisht mjaftueshëm i dobët për të mos kërcënuar ministritë kombëtare të punëve të jashtme.
I bllokuar mes kryeqyteteve dhe Komisionit Evropian
Mbi pesëmbëdhjetë vite më vonë, zyrtarë nëpër institucionet e BE-së pranojnë se ky kompromis po shfaq çarje gjithnjë e më të dukshme.
“Duhet të ketë më pak intriga mes dhe brenda Komisionit Evropian dhe Shërbimit të Veprimit të Jashtëm,” deklaroi ish-ministri i jashtëm estonez dhe eurodeputeti aktual Urmas Paet për Euractiv. “Duket vërtet qesharake, ndërkohë që bota përballet me çështje që digjen.”
EEAS zë një pozicion të pazakontë dhe disi të sikletshëm në arkitekturën institucionale të Bashkimit Evropian: formalisht i pavarur, por politikisht i lidhur si ndaj Komisionit Evropian, ashtu edhe ndaj shteteve anëtare. Ky tension mishërohet në funksionin “me dy kapele” që mban Kallas, e cila është njëkohësisht Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, si dhe Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian – pozicion i njohur shkurtimisht si HRVP.
“Gjithmonë ka qenë e vështirë, sepse është disi si një gjitar me sqep rosaku,” deklaroi James Moran, aktualisht bashkëpunëtor i lartë kërkimor pranë Qendrës për Studime Politike Evropiane.
Brenda EEAS-it, zyrtarët ankohen privatisht se ndërtesa famëkeqe e Berlaymont-it – simbol i pushtetit të Komisionit Evropian – po ndërhyn gjithnjë e më shumë në territorin institucional të shërbimit diplomatik, ndërsa zyrtarët e Komisionit hedhin poshtë çdo pretendim për një “grabitje të qëllimshme kompetencash”.
Një diplomat i BE-së argumentoi se mbivendosja në rritje mes gjeopolitikës dhe politikës ekonomike e ka zhvendosur pashmangshmёrisht pushtetin drejt Komisionit.
“Nëse dëshiron të rregullosh Big Tech-un… ke nevojë për përfshirjen e aktorëve institucionalë jashtë qarqeve tradicionale të politikës së jashtme dhe sigurisë,” deklaroi diplomati.
I njëjti diplomat e përshkroi EEAS-in si “një lloj fëmije të padëshiruar” që në lindjen e tij institucionale – i kapur mes shteteve anëtare që nuk dëshironin të hiqnin dorë nga kontrolli mbi politikën e jashtme dhe një Komisioni Evropian skeptik ndaj fuqizimit të një institucioni tepër të lidhur me kryeqytetet kombëtare.
Më tej, disa vende të BE-së janë shfaqur të irrituara nga iniciativa e Kallas për të simuluar skenarë të aktivizimit të klauzolës 42.7 të ndihmës së ndërsjellë të Bashkimit Evropian – nga frika se kjo mund të provokojë një reagim të fortë nga Shtetet e Bashkuara dhe të rrezikojë më tej marrëdhëniet me NATO.
Mandati i kujt? Kush flet për Bashkimin Evropian?
“Atje ku kanë mandat, ata japin rezultate. Problemi është se kemi të bëjmë me një institucion tepër enigmatik dhe me një mandat relativisht të dobët,” deklaroi Juraj Majcin, analist pranë Qendrës për Politika Evropiane (European Policy Centre).
Majcin përmendi partneritetet e fundit të sigurisë me vende si India dhe Australia si shembuj ku EEAS ka funksionuar në mënyrë efektive. Megjithatë, sipas tij, institucioni vazhdon të ketë vështirësi serioze në përcaktimin e vendit të vet brenda sistemit institucional të BE-së.
“Për sa kohë që traktati mbetet në fuqi, do të ekzistojë edhe Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm,” deklaroi Moran, duke shtuar se efikasiteti i tij varet drejtpërdrejt nga lidershipi dhe nga gatishmëria e shteteve anëtare për të vepruar kolektivisht.
Më herët gjatë kësaj jave, Kallas e propozoi veten për të luajtur rolin udhëheqës në negociatat e mundshme të ardhshme me Rusinë, duke nxitur një debat që pasqyron problemet më të gjera politike të EEAS-it.
Zyrtarë dhe analistë kanë ngritur pikëpyetje nëse shefja e politikës së jashtme të BE-së gëzon vërtet mbështetjen politike apo mandatin institucional për një rol të tillë.
Majcin argumentoi se Kallas “e ka vënë karrocën para kalit”, duke e promovuar publikisht veten përpara se të siguronte mbështetje të gjerë nga qeveritë kombëtare, të cilat aktualisht po diskutojnë kandidatë të tjerë – me shumë gjasa një ish- ose aktual kryetar shteti apo qeverie – për të shërbyer si emisar në rast negociatash me Vladimir Putin.
Moran sugjeroi se mund të shfaqet një zgjidhje e ndërmjetme, ku EEAS do të luajë një rol koordinues, ndërsa shtetet anëtare dhe liderët kombëtarë do të ruajnë kontrollin politik mbi negociatat më të ndjeshme.
Një zyrtar i lartë i Komisionit Evropian vuri në dukje se vetë ky debat është tregues i qartë i kufizimeve politike që rëndojnë mbi çdo rol të mundshëm të HRVP-së.
“Pjesa e pathënë është: jo Kallas,” deklaroi burimi.
(Burimi: Pёrshtatur nё shqip nga Euroactiv)





